Zjarr në spitalin Covid-19, humbin jetën 60 persona, disa të plagosur

Dhjetëra persona gjetën vdekjen në Irak pas shpërthimit të zjarrit në një pavijon spitali ku kuroheshin pacientët me koronavirus. Kushtet në spitalet irakiane janë rënduar prej pandemisë.

Zjarri në një pavijon me pacientë të Covidit-19 në Irak u mori jetën të hënën mbi 60 personave. Flakët përfshinë spitalin "Al-Hysein" në qytetin jugor të Nasirisë.

Shkaku besohet të ketë qenë shpërthimi i një bombole oksigjeni që përdorej për pavijonin me kapacitet prej 70 shtretërish, të ndërtuar vetëm tre muaj më parë.

Teksa vijuan operacionet e kërkimit për viktima, kryeministri i Irakut kërkoi arrestimin e drejtuesit të spitalit.

Kjo ishte tragjedia e dytë në Irak për këtë vit, pasi në prill një tjetër zjarr në një spital kovidi në Bagdad vrau 82 persona dhe plagosi 110 të tjerë, sërish prej shpërthimit të cilindrave të oksigjenit që ruheshin në kushte të këqija.

Në vend koronavirusi u ka kushtuar jetën mbi 17 mijë irakianëve, ndërkohë që vetëm 1 nga 40 milionë banorët e Irakut kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës kundër Covidit-19.

Përveç të afërmve të viktimave nga zjarri i së hënës, në rrugët e Nasirisë u mbajtën po ashtu protesta kundër autoriteteve për të denoncuar kushtet spitalore dhe situatën me pandeminë.