Mancini: E pabesueshme ta mendoje, ishim të jashtëzakonshëm

Një Roberto Mancini i lumtur dhe plot emocione ishte ai që u shfaq menjëherë në intervistat e nxehta menjëherë pas ngritjes së trofeut. Trajneri Italian u përlot menjëherë dhe në fund të takimit pati një përqafim emocionues me Viallin ku të dy u shfaqën të përlotur.

“E jona është një miqësi që shkon përtej gjithçkaje sepse ajo që kemi kaluar te Sampdoria shkoi përtej gjithçkaje. Sot mbyllet një rreth por duhet të them se djemtë tanë sot ishin të jashtëzakonshëm."

Fitorja dhe ndeshja ndaj Anglisë…

"Është e pabesueshme edhe ta mendoje që do ta fitonim por djemtë ishin të mahnitshëm. Nuk kam fjalë për ta, ky është një grup i mrekullueshëm. Nuk ishte një ndeshje e lehtë dhe kjo, për shkak të asaj se si shkoi ndeshja, ishte bërë shumë e vështirë, por më pas ne morëm situatën në dorë dhe e dominuam atë. Pastaj në penallti duhet edhe pak fat dhe më vjen keq edhe për anglezët. Skuadra është rritur shumë, mendoj se mund të përmirësohet më tej. Ne jemi shumë të lumtur për të gjithë italianët, nuk kam fjalë për këta djem”, u shpreh trajneri Mancini në reagimin e parë pas shpalljes si kampion i Europës.