PE sanksione ndaj Kinës, ligjvënësit europianë kërcënojnë: Bojkot Lojërave Olimpike të Pekinit 2022

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë me mbështetjen e të gjitha grupeve kryesore politike, e cila kërkon nga zyrtarët e institucioneve të BE-së dhe të shteteve anëtare "të refuzojnë pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike Dimërore të Pekinit 2022, nëse qeveria kineze nuk angazhohet në përmirësimin e situatës së të drejtave të njeriut”.

Eurodeputetët theksuan "nevojën që BE të ndërmarrë veprime urgjente dhe të vendosura" dhe i bënë thirrje Brukselit të hartojë një valë të re sanksionesh kundër autoriteteve kineze.

Kohët e fundit, Kina po përballet me kritika dhe sanksione ndërkombëtare për ndalimin e më shumë se 1 milionë ujgurëve dhe pakicave tjera myslimane në rajonin e Ksinjiangut. Zyra e Komisionerit të Kinës në Hong Kong kritikoi votimin duke thënë se ai është "një pengesë për bashkëpunimin midis Kinës dhe BE-së".

Kina ka miratuar një ligj të ri të sigurisë për Hong Kong-un përmes së cilit ka arrestuar dhe dënuar protestues prodemokracisë dhe zëra kritikë.  Autoritetet në Pekin dhe Hong Kong, kanë thënë se legjislacioni ka qenë i nevojshëm për të sjellë stabilitet, por kritikët besojnë se ai synon tu mbyllë gojën disidentëve.

Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar gjenocid aktin, pasi sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1 milion pjesëtarë të këtyre grupeve etnike janë arrestuar dhe janë dërguar në kampe çnjerëzore. Por Kina i ka mohuar pretendimet duke theksuar se bëhet fjalë për qendra riintegrimi për t’i ndihmuar njerëzit të largohen nga terrorizmi.