SHBA dekret për konkurrencën, urdhri ekzekutiv i presidentit Joe Biden në interesin e familjeve dhe konsumatorëve
Mungesa e konkurrencës në ekonominë amerikane mendohet se po rrit çmimet dhe i kushton familjeve atje rreth 5 mijë dollarë çdo vit.
Presidenti Joe Biden firmosi të premten një dekret me aksione dhe rekomandime konkrete për të ulur kostot e konsumatorëve, për të rritur pagat dhe për të promovuar rritjen ekonomike.
Kreu i shtetit tha se kapitalizmi amerikan bazohet te gara e hapur dhe konkurrenca e drejtë, porse monopolet e mëdha i kanë abuzuar parimet.
"Kemi 40 vite tani që eksperimentojmë duke i lënë korporatat gjigante të grumbullojnë gjithnjë e më shumë fuqi, dhe si rezultat kemi marrë më pak rritje, investime më të dobëta, më pak biznese të vogla, shumë amerikanë të cilët ndihen të braktisur dhe shumë të cilët janë më të varfër sesa prindërit. Besoj se eksperimenti ka dështuar," u shpreh Biden.
Presidenti Biden tha se ai është për një sistem ekonomik kapitalist ku të gjithë konkurrojnë të barabartë.
"Kapitalizmi pa konkurrencë nuk është kapitalizëm - është shfrytëzim. Pa një garë të shëndetshme, bizneset e mëdha mund të ndryshojnë dhe të na ngarkojnë me çmimet që duan," tha presidenti.
Urdhri i fundit ekzekutiv i presidentit Biden inkurajon po ashtu agjencitë e tjera qeveritare të rritin konkurrencën në sektorët e shëndetësisë, turizmit dhe bujqësisë.
