Talibanët në Afganistan fitojnë terren, lëvizja fundamentaliste myslimane merr pikën e pestë kufitare brenda javës
Teksa i vjen fundit prezencës së trupave të huaja në Afganistan, luftëtarët talibanë po zgjerojnë kontrollin ushtarak mbi territorin.
Të premten, forcat që luftojnë për vendosjen e një shteti sipas modelit të sheriatit morën një pikë tjetër kufitare që lidh vendin me Iranin.
Kjo ishte pika e pestë kufitare e dorëzuar nga ushtria afgane brenda javës pas atyre me Taxhikistanin, Turkmenistanin, Kinën dhe Pakistanin.
Talibani thotë se po kontrollon gjysmën e vendit ose mbi 200 distrikte në 34 provincat e vendit.
Lëvizja fundamentaliste u rrëzua me forcë nga pushteti në vitin 2001, me ndërhyrjen e forcave amerikane dhe aleatëve perëndimorë.
Grupi sa vjen e po fuqizohet pasi Amerika dhe trupat e tjera vendosën largimin nga vendi.
Presidenti Joe Biden tha të enjten se misioni i tyre ka përfunduar dhe populli afgan duhet tani ta vendosë vetë të ardhmen që do dhe nga cilët do të qeveriset.
"Në vitin 2014 disa kërkonin që të qëndronim edhe një vit – dhe ashtu vazhduam të luftojmë dhe të rritim bilancin e të vrarëve. Në vitin 2015 ishte e njëjta gjë. Por 20 vite përvojë na kanë treguar, dhe situata aktuale me sigurinë na e konfirmon, se një tjetër vit lufte në Afganistan nuk është zgjidhja, por receta për të qëndruar atje pafundësisht," tha Biden.
SHBA-ja ka në plan që t'i mbarojë operacionet e saj ushtarake në Afganistan brenda 31 gushtit, 2 javë përpara se të mbushen 20 vite nga sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 dhe planifikimit të ofensivës në Afganistan.
