Haiti kërkon ndihmë nga OKB dhe SHBA-ja për rikthimin e sigurisë në vend pas ekzekutimit të presidentit

Shteti i Haitit i ka kërkuar OKB-së dhe Amerikës që të dërgojnë trupa për të rikthyer sigurinë në vend pas vrasjes së presidentit Xhovenel Moiz.

Kërkesa për forca paqeruajtëse mësohet se u bë më 7 korrik, ditën kur kreu i shtetit u ekzekutua me 12 plumba në shtëpinë e tij.

"Duke iu përgjigjur kërkesës së qeverisë haitiane për asistencë rreth sigurisë dhe hetimit të vrasjes, do të dërgojmë zyrtarë të FBI-së dhe të Departamentit për Sigurinë e Brendshme për të vlerësuar fillimisht situatën," njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Policia e Haitit ka deklaruar se dyshon që vrasja e presidentit 53-vjeçar, Moiz, u krye nga një ekip prej 28 ish-ushtarakësh dhe mercenarësh të huaj, shumica kolumbianë ose amerikanë.

17 persona janë arrestuar, 3 të tjerë janë vrarë gjatë operacioneve policore për kapjen e tyre dhe të paktën 8 veta janë në kërkim.

"Problemi me mercenrarët ka kohë që vazhdon, dhe është një biznes për të cilin nuk ka rregulla si ta ndalësh apo ta parandalosh. Personat rekrutohen dhe një numër i madh janë ish-personel ushtarak kolumbian, si në Dubai," tha gjenerali i forcave të armatosura të Kolumbisë.

Prej së mërkurës, në Haiti është shpallur gjendja e jashtëzakonshme 15-ditore ndërsa vrasja e presidentit e ka futur vendin në krizë politike, përveçse vështirësive ekonomike dhe pandemisë që po kalon shteti më i varfër përbri Amerikës.

Vendi nuk mban zgjedhje që prej 2019-ës, ndaj nuk ka një kryetar parlamenti dhe as një kryetar Gjykate të Lartë që mund të merrnin postin e kryeshtetarit, dhe detyrën e ka marrë provizorisht kryeministri, Klod Xhozef.