Jo më procese gjyqësore pa fund, Italia reformon drejtësinë penale
Procese gjyqësore që zgjasin pafund e një shpejtësi "kërmilli" në vendimet gjyqësorë ka bërë që Italia të jetë nën vështrimin kritik të Institucioneve Evropiane të cilat kanë kërkua reformimin e këtij sistemi si kusht për marrjen e fondeve Next Generation EU.
Në një mbledhje që zgjati deri në orët e vona të natës së shkuar, ekzekutivi i qeverisë së Mario Draghit ka aprovuar reformimin e sistemit të drejtësisë penale.
Kohë më të shkurtra për proceset gjyqësore, më efikasitet në sistemin e drejtësisë e përshtatshmëri me standardet evropiane, janë objektivat e reformës së drejtësisë penale, e aprovuar unanimisht nga të gjitha forcat politike në Këshillin e Ministrave të qeverisë italiane.
Kjo reformë që së shpejti do të diskutohet në Parlament, është dhe drita jeshile për të marrë nga Bashkimi Evropian fondet e Recovery, të domosdoshme për rimëkëmbjen e rinisjen e ekonomisë italiane post pandemike.
Të rejat më të rëndësishme të kësaj reforme kanë të bëjnë me renditjen e aktit të korrupsionit, ryshfetit e krimit kundër Administratës Publike si vepra penale të krimeve të rënda.
Proceset gjyqësore ndaj këtyre krimeve do të kenë një afat kohor më të gjatë, para se të rrëzohen për skadenca administrative o pamjaftueshmëri provash, e që do të shkojnë deri në 3 vite gjykim në Gjykatën e Apelit e 18 muaj në Gjykatën e Lartë.
Reforma e drejtësisë penale parashikon risi në afatet kohore të hetimeve paraprake që do të jetë nga 6 muaj e deri në 18 muaj për krimet e rënda si trafik droge, dhunë seksuale, aktivitet mafioz e terrorizëm, Do të përjashtohen aktet me dënim të përjetshëm.
Për të garantuar efikasitetin e uniformitetin e aksionit penal, Prokuroritë italiane brenda kuadrit të kritereve të përgjithshme, duhet të identifikojnë prioritete transparente e të paracaktuara, që duhet të aprovohen nga Këshilli i Lartë i Magjistraturës.
Seanca paraprake gjyqësore do të limitohet e do të lejohet vetëm në gjykimet e krimeve të rënda.
Koha maksimale e hetimeve do të varet nga rëndesa e akteve penale.
Reforma penale parashikon dhe aplikimin e metodologjisë që njihet si drejtësia restauruese me qëllim reduktimin e fashikujve penalë e aplikimin e dënimeve alternative si "vënia në provë e të dënuarit" në rast se është dënuar deri më 6 vite burg e mundësia për të kryer punë të dobishme për shoqërinë.
Vetëm pak orë më parë "Justice ScoreBoard 2021" , instrumenti evropian për të vlerësuar efikasitetin, cilësinë e pavarësinë e sistemeve gjyqësore në vendet anëtare të BE, ka renditur Italinë ndër vendet e fundit me gjithë progresin e kryera.
Vonesat e kohët ë gjata të proceseve gjyqësore janë motivet bazë të kësaj perfomancë negative të drejtësisë italiane.
Ministrja e Drejtësisë Marta Caltabia ka deklaruar se objektivat e Italisë janë të qarta; "brenda 5 viteve të reduktohen me 40 % afatet kohore të proceseve civile e në 25% koha e gjykimeve në proceset penale".
"Komisioni Evropian i ka kërkuar disa kushte qeverisë italiane për marrjen e fondeve të Next Generation EU, e një nga këto është reformimi i drejtësisë. Kush tërhiqet nga ky ndryshim, duhet të marrë përgjegjësinë e mungesës në një vendim kaq të rëndësishëm për të gjithë", është shprehur numri 1 i Drejtësisë Italiane.
"Puna është titanike, e duhet kontributi, impenjimi, entuziazmi i të gjithëve si në nivel politik ashtu dhe në atë gjyqësorë", tha ajo.
Reforma e drejtësisë penale e aprovuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, do të merret në diskutim në Parlamentin Italian, më datë 23 korrik.
Aprovimi i saj u arrit pas një debati të nxehtë mes forcave të aleancës qeverisës që detyroi disa herë ndërprerjen e mbledhjes së qeverisë, me konsultime të veçanta të aleatëve politikë.

