Venezuelë/ Policia lufton "Kokin", 800 forca policie hyjnë në lagjen "Cota 905"
Pas dy ditëve përplasjesh të armatosura me bandat, policia venezuelase arriti të depërtojë në një nga lagjet problematike të kryeqytetit.
Konflikti në lagjen "Cota 905" la prej së mërkurës mbi 10 të vrarë dhe gëzhoja pa fund në lindje të Karakasit.
Zona kontrollohej nga klani "Koki" para operacionit policor që përfshiu 800 forca rendi.
Për tri ditë, banorët iu nënshtruan kontrolleve në rrugë, u konfiskuan pasuri materiale të zotëruara nga grupi, ndërsa drejtuesit shpëtuan edhe pse për kapjen e tyre ishin ofruar 500 mijë dollarë shpërblim nga policia.
Qeveria e presidentit Nikola Maduro thotë se po punojnë për çmontimin e bandës kriminale.
Sipas presidentit, episodet e dhunës mes saj dhe policisë në muajt e fundit janë nxituar prej opozitës e cila kërkon destabilizimin e vendit.
Në vitin 2020, Venezuela regjistroi 12 mijë vdekje prej dhunës, apo 45,6 vrasje për 100 mijë banorë, rreth 7 herë mbi mesatarën botërore.
