Policia e Haitit konfirmon kush qëndron pas ekzekutimit të Presidentit: U vra nga një grup kolumbianësh
Zyrtarët e policisë kanë konfirmuar se pas vrasjes së Presidentit të Haitit, Jovenel Moise, fshihet një grup i përbërë nga 26 kolumbianë dhe dy amerikanë të Haitit. Presidenti 53-vjeçar, u qëllua për vdekje në shtëpinë e tij në Port-au-Prince ndërsa gruaja e tij u plagos, nga një grup, për të cilin zyrtarët thanë se ishin mercenarë.
"Në vendin tonë erdhën të huajt dhe e vranë Presidentin", tha shefi i policisë, Leon Charles, në një konferencë për media.
Ai konfirmoi se nga ai grup, 15 kolumbianë dhe amerikanët haitianë janë arrestuar ndërsa tre nga sulmuesit janë vrarë. Tetë të tjerë janë ende në kërkim. Sipas hetimeve të deritanishme, disa nga vrasësit ishin ish-anëtarë të ushtrisë kolumbiane, konfirmoi ministri i Mbrojtjes, Diego Molano.
Zyrtarët ende nuk kanë dhënë ndonjë motiv për vrasjen apo se kush e urdhëroi atë. Ekzistojnë edhe dyshime për faktin se pse nuk arritën ta mbrojnë Presidentin pjesëtarët e sigurisë.
Jovenel Moise u zgjodh në krye të shtetit në vitin 2017, teksa vendi përballej me një krizë të thellë politike. Edhe pasi Moise mori detyrën Haiti vazhdoi me protesta të vazhdueshme.
Presidenti qeveriste përmes një dekreti pasi administrata e tij dështoi të mbajë zgjedhjet e përgjithshme në tetor të 2019. Haiti nuk ka një parlament të zgjedhur ndërsa vdekja e Moise ka zhytur kombin e varfër në trazira.
Kryeministri i përkohshëm, Claude Joseph, ka shpallur gjendjen e emergjencës, ndërsa zgjedhjet e reja presidenciale dhe parlamentare janë planifikuar për 26 shtator.
