Milanoviç kritik me BE për shtyrjen e negociatave, Pendarovski i gëzohet përfundimit të presidencës portugeze
Presidenti kroat Zoran Milanoviç ka adresuar kritika ndaj BE-së për shkak siç tha në mënyrë të pashpjegueshme mban para dyerve Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
"Maqedonia dhe Shqipëria po mbahen në mënyrë të vrazhdë në dyert e Bashkimit Evropian, ndërsa vendet anëtare po merren me çështjet e tyre të brendshme, por BE duhet të vendosë nëse ka nevojë për të dy vendet. Këtë e thashë edhe në Shqipëri. BE-ja duhet të thotë nëse në kuadër të saj i duhen vende me shumicë myslimane të popullsisë, kurse Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë tema të lidhura", tha Presidenti kroat Zoran Milanoviç në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin maqedonas Stevo Pendarovski i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Zagreb.
Sipas tij, presidenca sllovene do të ketë detyrë të vështirë, për shkak se në këtë periudhë gjashtëmujore do të ndodhin gjëra të rëndësishme që do ta heqin vëmendjen nga Ballkani Perëndimor.
Presidenti i Maqedonisë është i bindur se Sllovenia në mënyrën e duhur do të avokojë për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian.
"Mos keni dilema. Sllovenia nuk është Portugalia, është avokati më i mirë në Ballkanin Perëndimor. Politikanët sllovenë e njohin më mirë rajonin tonë. Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë pasur marrëdhënie më të ngushta me vendet e Ballkanit Perëndimor. Kam pasur takime me Presidentin slloven Borut Pahor, ne i dimë pikëpamjet tona. Por është e qartë se "pjesa e luanit" e punës do të duhet të bëhet nga Shkupi dhe Sofja," tha Pendarovski.
I pyetur përdeklaratën e Sekretares shtetërore portugeze për çështje evropiane, Ana Paula Zakarias lidhur me gjuhën maqedonase, e cila i është referuar si “maqedonoveriore” duke vlerësuar se “dikur ka qenë pjesë e gjuhës bullgare” , Pendarovski u shpreh:
“Nga historianët që merren me politikë, më të këqij janë vetëm politikanët që përpiqen të interpretojnë epoka historike. Lajmi i mirë është se përfundoi presidenca portugeze, shpresoj se presidenca sllovene do të vazhdojë në të njëjtat shtigje duke respektuar interesat vitale kombëtare dhe shtetërore të dy palëve, ndryshe nuk mund të kemi marrëveshje”.
Në pyetjen e njëjtë, për të komentuar deklaratën e Ministres portugeze, Presidenti kroat Zoran Milanoviç është përgjigjur se është e pamoralshme të kontestohet gjuha dhe identiteti i tjetrit.
“Është e gabueshme të hyhet në çështje identitare për një popull. BE-ja është bashkësi kombesh, të identiteteve të veçanta. Deklarata e ministres portugeze mund të them se është rezultat i mosdijes dhe moskujdesit, por duhet të jemi të kujdesshëm. Kjo, për Portugalinë është e parëndësishme. Unë nuk do të komentoja çështje që lidhen me disa marrëdhënie të Spanjës ndaj Portugalisë, ose për çështje midis Bullgarisë dhe Rumanisë. Maqedonasit janë komb, nuk u bënë komb tani. Sa më shpejtë t’i kuptojmë këto çështje, do të jemi më afër vlerave evropiane”.

