Gjykata e Hagës dënon Stanishiq dhe Simatoviq me 12 vite burg secilin
Gjykata e Hagës ka dhënë vendimin me 12 vjet burgim për dy ish-shefat e shërbimit Sekret serb gjatë kohës së diktatorit Milosheviç. Jovica Stanishiqi dhe zëvendësi i tij Franko Simatoviq u shpallën fajtor për udhëheqjen e grupeve paraushtarake gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, në vitet 1990.
Grupet paraushtarake që kanë udhëhequr ata përfshijnë edhe dy nga njësitë elitare të quajtura Beretat e Kuqe dhe Tigrat e Arkanit që dyshohet se kanë vrarë qindra njerëz.
Prokuroria kishte kërkuar më herët dënim të përjetshëm duke i akuzuar për krime kundër njerëzimit, përndjekje, vrasje, dëbime, transferime me forcë, por akuzat ranë. Sipas ekspertëve të fushës, ky vendim është i rëndësishëm sepse mund të vërtetojë lidhjen e drejtpërdrejtë të shtetit të Serbisë në genocidet e kryera në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë.
Stanisiçi, ish-kreu i Sigurimit Shtetëror Serb, dhe Franko Simatoviç, ish-zëvendësi i tij, u shpallën fajtorë për ndërmarrje të përbashkët kriminale qëllimi i së cilës ishte dëbimi me forcë dhe i përhershëm i kroatëve dhe boshnjakëve që sipas tyre ishin jo serbë.
Ata u shpallën fajtorë se kanë “drejtuar dhe organizuar financimin, trajnimin, mbështetjen logjistike dhe ndihmën ose mbështetje tjetër thelbësore” për njësitë speciale që kanë kryer shfarosje të familjeve të tëra në Bosnje dhe Kroaci.
Të dy ish-shefat e Shërbimit serb kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të ish-presidentit, Sllobodan Millosheviq, i cilësuar kasapi i Ballkanit, ndërsa ka zhvilluar luftëra në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Edhe ish presidenti Millosheviç është gjykuar në Hagë për genocid dhe krime kundër njerëzimit, por ka vdekur në vitin 2006 përpara se t’i deklarohej dënimi.
