COVID-19/ Konfirmohen dy raste të variantit Delta në Kosovë

Në Kosovë, së fundmi janë konfirmuar dy raste të variantit të koronavirusit Delta në Kosovë.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës, ku ka njoftuar se nga 22 mostra të dyshimta që ishin dërguar për analizë në Berlin, 2 prej tyre u dolën pozitive me variantin Delta.

“Sot kemi pranuar të dhënat nga 22 mostrat pozitive të dërguara në Institutin e Virologjisë të Klinikës Unversitare Charite në Berlin, prej të cilave janë identifikuar 2 (dy) mostra me variantin Delta (B.1.617.2) të SARS-CoV-2. Të dy rastet kanë shfaqur simptoma, mirëpo tashmë janë shëruar dhe gjenden në shtëpi. Izolimi i tyre ka përfunduar. Ekipet e Institut Kombëtar të Shëndetit Publik, tashmë kanë gjurmuar të gjitha burimet dhe kontaktet e mundshme për të parandaluar përhapjen e mëtutjeshme të rasteve”, njofton MSH.

Varianti Delta u detektua për herë të parë në Indi në dhjetor të vitit 2020, i cili sot është njëri prej varianteve më te rrezikshëm. Sipas hulumtive dyshohet se mund të jetë varianti që përhapet më së shpejti edhe më ngjitës sesa Alpha (U.K/B.1.1.7).