Uroi serbët për Vidovdanin, Vlora Çitaku replikon ashpër me Grenell: Historikisht i pasaktë!
Është shoqëruar me polemika dita e serbëve të rënë në luftën me osmanët më 1389-ën. Ndërsa në atë që njihet si Beteja e Kosovës mori pjesë një koalicion i gjerë antiosman, edhe luftëtarë shqiptarë, ish-i dërguari i Uashingtonit për dialogun Kosovë-Serbi, Riçard Grenell, është kritikuar për veçimin e rolit serb në luftën për çlirimin e Ballkanit.
Me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë”, grupe pjesëtarësh të komunitetit serb u mblodhën dje në Gazimestan afër Prishtinës për të kremtuar Vidovdanin siç e quajnë serbët ditën e Shën Vitos, përkatësisht 632 vjetorin e Betejës së Kosovës.
Përkundër disa tentativave për incidente vëmendjen më shumë se ceremonia dhe thirrjet e serbëve e mori një postim i Richard Grenell, ish- i dërguari special i presidentit Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi ku uroi serbët për festën e Vidovdanit, duke nxitur reagime të ashpra.
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA,Vlora Çitaku, me anë të një postimi në llogarinë e saj në Twitter, ka thënë se Beteja e Kosovës nuk ishte e serbëve dhe në të mori pjesë ushtria Ballkanase kundër Perandorisë Osmane.
“Nuk ishte betejë e serbëve; ishte ushtria e Ballkanit që luftoi kundër pushtuesit Osman. Kjo betejë u bë miti themelor që vazhdon të ushqejë nacionalizmin serb që nga shekulli i 19-të duke na mbajtur të gjithëve peng”, shkroi Çitaku.
This was hardly a Serb battle; it was a Balkan army that fought against the Ottoman conquest.
— Vlora Çitaku (@vloracitaku) June 28, 2021
This battle became the foundational myth that continues to feed the Serbian nationalism since 19th century keeping all of us hostage. https://t.co/U4zdOAjjst
E ky reagim i Çitakut duket se nuk i ka pëlqyer Grenell, i cili ka replikuar në Twitter. Grenell ka thënë se njerëzit kanë nevojë për punë e zgjidhje.
“Ju ofendoni shumë. Duhet të jetë e lodhshme gjetja e një inati në gjithçka. Njerëzit duan punë dhe zgjidhje – zgjasni dorën”, ka shkruar Grenell.

Në përgjigje ndaj tij, ish-ambasadorja Çitaku është shprehur se edhe ajo dëshiron punë dhe zgjidhje, por që qëndrimi i tij për Betejën e Kosovës ishte historikisht i pasaktë.
“Edhe unë dua punë dhe zgjidhje! Por deklarata më poshtë ishte thjesht historikisht e pasaktë! Paqe”, ka shkruar Çitaku.

Edhe ish-kryediplomati Behgjet Pacolli shtoi se Grenelli ishte keqinformuar për ngjarjen, ndërsa më i ashpër u tregua analisti Enver Robelli.
"Paska folur si mitingash në tubimin e Sllobodan Millosheviqit në Gazimestan më 28 qershor 1989. I paska përkujtuar «heronjtë e Vidovdanit», «betejën kundër otomanëve», «martirët e shenjtë serbë» dhe «Shën Car Lazarin». Grenelli po luan rolin e propagandistit serbomadh, të shërbëtorit të Aleksandar Vuçiçit dhe manipuluesit të historisë," shkroi Robelli në Facebook.
Rreth 1 mijë serbë nga Kosova, Serbia dhe vende të rajonit u mblodhën të hënën në Gazimestan, rreth 15 km larg Prishtinës, për të shënuar atë që ata e quajnë ditën kombëtare.
Një shërbesë përkujtimore mbajti edhe kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, duke thënë se “ne i shohim shqiptarët si vëllezërit tanë”.
Ndërkohë në Gazimestan, më 28 qershor 1989, ish-presidenti serb, Milosheviç, e përdori ditën e shënuar për të paralajmëruar edhe ndërhyrje të armatosura kundër shqiptarëve të Kosovës dhe rebelëve të tjerë në shtetet ish-jugosllave.
