Partitë politike njëzëri: Asnjë kompromis në marrëveshjen finale me Serbinë
Takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Madje deputetët e Vetëvendosjes shprehen të bindur se në bisedimet që do të vijojnë në korrik në Bruksel nuk do të ketë tërheqje nga propozimet e para.
Deputeti, Artan Abrashi, thotë se Qeveria aktuale nuk do të pranojë asgjë që i sjell dëme vendit.
“Na është thënë vazhdimisht neve që kompromisi i fundit dhe më i dhimbshëm është pako e Ahtisarit. Por për fat të keq, edhe pse ka ekzistuar një opinion i GJND-së, që i dha të drejtë pavarësisë së Kosovës, klasa e papërgjegjshme politike iu nënshtruar një lloj procesi të ri, i cili stagnoi çdo gjë në Kosovë. Çdo gjë tash është peng i vullnetit, apo miratimit të Serbisë, sa i përket Kosovës. Kemi ngecje të njohjeve që ishin duke shkuar shumë mirë.
Prandaj ne nuk mund të pranojmë që të vazhdojmë me të njëjtën frymë që i solli pasoja Kosovës. Është një urgjencë dhe domosdoshmëri që të rishikohen konditat e këtij dialogu dhe të fillojmë ndryshe. Neve na obligon një rezolutë e Kuvendit të Kosovës, e cila është miratuar më 15 mars të vitit 2020, në të cilat janë përcaktuar vijat e kuqe, kornizat që Qeveria e Kosovës duhet t’i përmbahet rreptësishtë. Karakterit unitar të shtetit, funksionimit të brendshëm institucional, integriteti institucional, territori dhe rendi kushtetues. Asnjë qeveri nuk e ka legjitimitetin t’i vë në pikëpyetje këto”, thotë ai.
Italia synon të thyejë rekordin e vitit 1972, nuk ka fat në Londër
26 Qershor, 17:55
Edhe opozitarët mendojnë se deri më tani Kosova ka pranuar çdo kompromis të kërkuar duke i konsideruar se rrjedhin prej pakos Ahtisari.
Tashmë për ta radha nuk është më e Prishtinës.
“Kosova duhet ta ruaj sovranitetin e vet, funksionimin e brendshëm dhe çdo marrëveshje të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe marrëveshja të ketë pjesë të saj njohjen reciproke. Pra Kosova ta fitojë ulësen në OKB dhe njohjen nga Serbia. Çdo temë tjetër që diskutohet sot nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës”, thotë Betim Gjoshi.
“Në dialogjet e shumta me ndërkombëtarët është thënë që dokumenti i Ahtisarit është maksimumi i kompromiseve që Kosova po i jep dhe pas këtij dokumenti do të njihet prej të gjitha shteteve të Evropës dhe do të jetë pjesë e kombeve të bashkuara e të tjera. Prandaj mendoj që Kosova deri më tash ka bërë kompromise maksimale dhe çfarëdo kompromisi që kërkohet prej Kosovës do të kishte qenë i dëmshëm prej mbarëvajtjen dhe funksionalitetin e Kosovës” Teuta Sahatqija.
“Kompromis i dhimbshëm është edhe pako e Ahtisarit dhe ne nuk guxojmë të shkojmë përtej kësaj dhe të kërkojmë kompromis prapë nga pala kosovare. Nuk di se çka mendojnë por Kosova ka bërë mjaft kompromise dhe ne duhet të mendojmë për vetën tonë duke konsultuar edhe me miqtë tanë ndërkombëtar”, deklaron Pal Lekaj.
Takimi i radhës mes delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë do të mbahet në Bruksel më 25 korrik.
Për të arritur një marrëveshjes mes palëve ka një përpjekje të shtuar të presidentit të Francës, Emmanuel Macron i cili më herët ka shprehur besimin në gjetjen e një gjuhe të përbashkët.

