"Mos thelloni urinë", këshilltarja socialiste kërkon mbledhjen urgjente të këshillit bashkiak Vlorë për ndihmën ekonomike
Teatri politik në Vlorë mes kryetarit të bashkisë dhe këshillit bashkiak po rëndon direkt mbi qytetarët e pamundur të këtij qyteti. Sot duhej të merrej vendimi për ndihmën ekonomike.
Për këtë situatë ka shprehur shqetësim edhe këshilltarja socialiste, Edlira Kpllanaj, e cila në një letër të hapur i kërkon këshillit bashkiak të mblidhet sa më shpejt dhe të miratojnë ndihmën ekonomike për familjet në nevojë.
Gjithashtu ajo drejton një thirrje që mos të luajnë me bukën e gojës të disa familjeve në nevojë të cilat mezi presin ndihmën ekonomike.

"Luajnë cicmic" në Vlorë
Këtë të enjte, ata duhet të ishin bashkë në mbledhjen e muajit, ku në qendër ishin vendimet për dhënien e ndihmës ekonomike.
Por këshilltarët e kishin paralajmëruar, se sa kohë Dritan Leli nuk u del përballë tu japë llogari për punët e Vlorës, ata nuk do të diskutojnë me të online.
Ndaj duke shpallur dështimin e mbledhjes së planifikuar, Dritan Leli i thumboi me një deklaratë.
"E pranoj haraçin e veprimeve tuaja deri në masën që më prek mua, por jo qytetin! Vlora sapo ka nisur sezonin turistik, pas muajsh të gjatë e të vështirë lufte me shëndetin! Turistët po gëzojnë lirinë dhe bukurinë e një qyteti që nuk mund dhe nuk duhet të shëmtohet prej gjyqeve teatrale! Vlora duhet promovuar, jo sakatuar."
Pasi i dhanë një sinjal bllokimi kryebashkiakut, këshilltarët socialist lajmëruan se do të mblidhen më 30 qershor në ambientet e Teatrit "Petro Marko."
Aty presin edhe kryebashkiakun Dritan Leli, në llogaridhënie publike për problemet e qytetit ndërsa do të kërkojnë transparencë se kush urdhëroi kyçjen e Teatrit për mbledhjet e parashikuara më 15 dhe 22 Qershor.
Por Dritan Leli duket se nuk ka ndër mend të tërhiqet nga lufta me vëllezërit politik.
Menjëherë më pas, ai nxori një shkresë ku kërkoi mbledhjen e këshillit bashkiak.
Kryebashkiaku i sfidon se është gati tu japë përgjigje për shqetësimet e pretenduara. Por ka dy kushte.
Diskutimi sipas tij duhet të bëhet online, dhe më 29 qershor.
