Kurti: Presidenti Macron nuk më premtoi për liberalizimin e vizave

Franca i ka kërkuar Kosovës dhe Serbisë të sillen si shtete europiane dhe t'i normalizojnë raportet për interesin e vet dhe të rajonit.

Presidenti francez, Emanuel Macron, priti të mërkurën në pallatin Elisse kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për t'i përsëritur se perspektiva europiane e vendit kushtëzohet nga marrëveshja përfundimtare me Serbinë.

"Unë jam gati të investohem në kërkim të një zgjidhjeje të cilën e kam treguar më parë, por siç e dini asgjë s'ka për të qenë e mundur pa vullnetin e fortë politik të dy palëve, tuajin dhe presidentit Vuçiq. Për mua Marrëveshja e Prespës ishte si ky rast, një burim frymëzimi për vullnetin e përbashkët, prandaj edhe i ftoj Kosovën dhe Serbinë të sillen si europianë," tha Macron.

Në takimin dypalësh Makron-Kurti u trajtuan edhe problematikat e përgjithshme, si pandemia, zhvillimi ekonomik, sundimi i ligjit dhe siguria rajonale, që i shqetësojnë të dyja vendet.

Kurti pranoi se në Europë është krijuar një realitet i ri euroatlantik i cili ka nxjerrë edhe një herë në pah aleancën me SHBA-në.

Kryeministri kosovar shtoi se liberalizimi i vizave me Prishtinën mbetet një çështje ende e pazgjidhur për të cilën nuk mori premtim as në takimin me presidentin Macron.

Presidenti francez ndihmoi dy vite më parë që të ri-jetësojë procesin e dialogut Kosovë-Serbi, dhe takimi i radhës Kurti-Vuçiq pritet pas një muaji.