OBSH: Mungesë vaksinash për të varfërit

OBSH-ja ka pranuar se programi i saj për vaksinat, "COVAX", nuk po u vjen sa duhet në ndihmë vendeve të varfra të botës.

"COVAX" është një nismë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e Komisionit Europian dhe Francës që bashkon qeveri, organizata globale, shkencëtarë dhe shoqërinë civile me synimin për t'u siguruar vaksina edhe qytetarëve në shtetet më të largëta.

90 milionë doza janë shpërndarë deri tani në 130 shtete, por Brus Ajluard, një nga zyrtarët e lartë të OBSH-së, thotë se sasia nuk është e mjaftueshme ndaj një virusi që vijon përhapjen.

Afrika ka vaksinuar më pak se 2 për qind të banorëve dhe po mendon t'i prodhojë vetë vaksinat pasi nuk po gjen përkrahje nga jashtë.

Presidenti i Afrikës Jugore, Siril Ramafoza, apeloi të hënën që shtetet e pasura të tregohen më altruiste dhe të mos i shpërdorojnë dozat e tyre.

"Nuk mund të vazhdojmë të varemi nga vaksinat e prodhuara jashtë Afrikës sepse ato nuk vijnë asnjëherë në kohë dhe njerëzit po vdesin."

"Sot është ditë e madhe për Afrikën. E them prej muajsh se beteja me pandeminë po ndodh në çdo kontinent që do të thotë se secili prej tyre duhet t'i zhvillojë dhe prodhojë vetë vaksinat, medikamentet," shtoi presidenti i Francës, Emanuel Makron.

Vendet e G7-ës u zotuan këtë muaj që t'u dhurojnë 1 miliard doza vendeve të varfra.

Në gjithë botën janë kryer mbi 2,6 miliardë doza antikovid ose 35 doza për 100 banorë, gjithsej.86% e dozave janë kryer në vendet me të ardhura të mesme dhe të larta, dhe vetëm 0,3 për qind në vendet me të ardhura të ulëta.