Suedia në krizë politike, kryeministri humb votëbesimin

Suedia gjendet para një krize të papritur politike të krijuar rishtas dhe që ka vënë në dyshim postin e kryeministrit Stefan Lëven.

Kreu i qeverisë e mban pushtetin që prej vitit 2014, por të hënën ai humbi votëbesimin e parlamentit me 181 vota pro dhe 109 kundër.

Lëveni ka një javë kohë për të vendosur nëse do ta çojë vendin në zgjedhje të reja apo do të provojë të formojë një kabinet tjetër.

Zgjedhjet e parakohshme duhen mbajtur brenda tre muajve dhe pritet të prodhojnë një qeveri jetëshkurtër pasi në 2022-in janë planifikuar zgjedhjet normale parlamentare.

Shkak për rrethanat e fundit u bë plani i socialdemokratëve për të ndërhyrë në tregun e pasurive të patundshme pa konsultim paraprak.

Vendi skandinav përballet me çmime tejet të larta dhe rregulla strikte të cilat e vështirësojnë blerjen apo edhe marrjen me qira të apartamenteve.

Ndërsa kryeministri Lëven ka propozuar që t'i lehtësojë rregullat në tregun imobiliar, partitë e opozitës, si edhe partia e majtë ish-komuniste që kërkoi mocionin kundër kryeministrit, thonë se plani rrezikon t'i rritë më tej çmimet.

 “Kjo qeveri jo vetëm është e dëmshme por edhe historikisht e dobët dhe plotësisht e paaftë për të zgjidhur problemet që qytetarët e vendit hasin çdo ditë.”

Partitë e djathta thonë se në rast se do të vendoset për ta çuar vendin në zgjedhje të reja, mesazhi i tyre në fushatë do të përqendrohet te situata me emigracionin, me integrimin e të huajve dhe nivelin e lartë të krimeve të dhunshme që ata kanë sjellë vitet e fundit.