SHBA redukton praninë ushtarake në Lindjen e Mesme, ul mbrojtjen anti-ajrore
Ulja e tensioneve me Iranin ka sjellë edhe një reduktim të pranisë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Lindjen e Mesme. Pentagoni konfirmon se tërheqja ushtarake bëhet kryesisht në sistemin e mbrojtjes anti-ajrore.
SHBA-ja po redukton aktualisht mbrojtjen e saj anti-ajrore në Lindjen e Mesme, pasi e kishte riforcuar në dy vitet e fundit për shkak të tensioneve me Iranin, theksoi Pentagoni duke konfirmuar informacionet e Wall Street Journal.
''Ministri i Mbrojtjes, Lloyd Austin, urdhëroi tërheqjen këtë verë nga rajoni të disa forcave dhe kapaciteteve, kryesisht të pajisjeve të mbrojtjes antiajrore”, theksoi në një komunikatë një zëdhënëse e Pentagonit, kapitenia e fregatës, Jessica McNulty.
“Disa prej këtyre pajisjeve do të dërgohen në SHBA për një mirëmbajtje dhe për të kryer riparimet që janë të nevojshme. Ndërkohë që pajisjet e tjerat do të rivendosen në rajone të ndryshme”, ka bërë me dije Jessica McNulty.
Zëdhënësja e Pentagonit nuk dha detaje nëse këto pajisje do të rivendoseshin në rajonin indo-paqësor, ku Pentagoni kërkon të fokusojë përpjekjet e tij përballë fuqizimit të Kinës.
Sipas Wall Street Journal, Pentagoni ka nisur në fillim të qershorit tërheqjen e tetë baterive anti-raketë nga Iraku, Kuvajti dhe Arabia Saudite.
