Merkel - Macron, thirrje për vigjilencë: Pandemia nuk ka kaluar

Presidenti francez Emanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel bënë thirrje për vigjilencë, me qëllim  luftimin e varianteve të reja të koronavirusit, që këtë javë kanë ndikuar në shtyrjen e heqjes së kufizimeve për udhëtimet në Britaninë e Madhe.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, deklaroi se ndonëse Gjermania ka aktualisht numër shumë të vogël të të infektuarve me koronavirus, variant “agresiv” Delta mund të rrisë numrin e të prekurve në javët në vijim.

Gjatë një deklarate para gazetarëve në Berlin, Merkel shtoi se nuk mund të pretendohet se koronavirusi ka kaluar.

Duke iu referuar Portugalisë që vendosi masa të reja kufizuese si pasojë e infektimeve në rritje, Merkel tha se mund të shihet nga shembulli i Lisbonës se gjërat mund të ndryshojnë shpejt”.

Autoritetet portugeze kanë ndaluar të enjten udhëtimin brenda dhe jashtë rajonit të kryeqytetit në fundjavat e ardhshme, për shkak të rritjes së numrit të rasteve me variantin 'Delta' të koronavirusit.

Më herët gjatë kësaj jave, edhe kryeministri britanik Boris Johnson, ka shtyrë datën e heqjes së masave për katër javë, pasi autoritetet kanë regjistruar mijëra raste të reja të infektimit, kryesisht edhe variantin Delta.

Deklaratat kancelarja Merkel i bëri para një darke pune me presidentin francez, Emmanuel Macron, hera e parë që

një zyrtar i lartë udhëton në Gjermani, prej vitit të kaluar. Gjatë takimit dy liderët europianë kanë vlerësuar se dialogu mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë e Turqisë, është i domosdoshëm dhe duhet mbrojtur.

Macron ka thënë se është e rëndësishme që të gjithë të jenë vigjilentë ndaj pandemisë, teksa Bashkimi Evropian do të diskutojë në samitin e ardhshëm si të harmonizojë më mirë kufizimet për udhëtime në kohën e pandemisë.

Shtetet e Bashkimit Evropian janë afër vaksinimit të gjysmës së popullsisë, ndërsa një e treta e popullsisë besohet se ka marrë të dyja dozat ndërkohë që britania e madhe ka arritur një shkallë më të lartë vaksinimi.