Gjermania spektakolare, i jep leksion Ronaldos dhe Portugalisë
Mund ta themi me plotë gojë që ishte ndeshja më e bukur deri tani e Kampionatit Europian.Gjermania shkëlqen dhe dominon Portugalinë me rezultatin e thellë 4-2 me panzerat që marrin fitoren e parë në Grupin F dhe rikthehen aty ku i takon në lojë për 1/8.
Në “Allianz Arena”, aty ku u mundën nga Franca, Gjermania ishte krejtësisht ndryshe ndaj Kampionëve të Europës në fuqi dhe e nisi ndeshjen me një ritëm të jashtëzakonshëm në sulm, gjen dhe golin por që anulohet.
Ndërkohë Portugalia shfrytëzon kundërsulmin e shpejtë dhe në dy raste, shënon në njërin prej tyre me Ronaldon me portën e boshatisur në 15’.
Të shokuar, panzerat nuk dorëzohen dhe menjëherë gjejnë barazpeshën me një autogol të Dias me protagonist Gosens nga e majta në 35’. Vetëm 4 minuta më pas sërish skuadra e Low me meritë kalon dhe në avantazh dhe sërish me një autogol, kësaj radhe të Guerreiros.
Një avantazh shumë i merituar për Gjermaninë që në fakt nuk ka ndërmend të ndalet pasi edhe në pjesën e dytë e nis me një lojë shumë ofensive.
Menjëherë në 51’, Kai Havertz shënon pas një tjetër asisti nga Gosens me Portugalinë që duket tashmë e dorëzuar.
Nuk mbahen panzerat që duan të tregojnë superioritet absolut dhe në 60’, më i miri i ndeshjes, Gosens gjen edhe golin personal me kokë duke i dhënë fitoren tashmë Gjermanisë.
Ka vend edhe për një gol nga Portugalia me Diogo Jotan në 67’ dhe më pas edhe një traverse por gjithçka mbyllet 4-2 me një paraqitje dinjitoze të Gjermanisë që njohin të gjithë.
Çështja e kualifikimit mbetet luftë e hapur pasi Franca kryeson me 4 pikë, Gjermania 3, Portugalia 3 dhe Hungaria 1 pikë.
