Mancini: Duam vendin e parë, mund të ketë rotacion ndaj Uellsit
Italia është tashmë e kualifikuar për më tej në Kampionatin Europian dhe pas dy ndeshjeve shumë të mira, Roberto Mancini nuk dëshiron të ndalet me kaq teksa në duelin ndaj Uellsit kërkon sërish maksimumin.
“Synojmë fitoren për ta mbyllur grupin si kryesues, ndonëse do të jetë e vështirë, luajmë në orën 18.00 dhe temperaturat do të jenë të larta. Do të jetë ndeshja e tretë në 10 ditë dhe nuk do të jetë e lehtë për ne. Mendoj se do të bëj disa ndryshime në formacion, por pa prishur asgjë në balanca”.
Mancini e pranon se ka ardhur momenti që te Italia të luajë Verratti i cili vjen nga një dëmtim e gjithashtu edhe Chiesa do të ketë hapësira.
“Chiesa mund të luajë në çdo rol të repartit ofensiv, edhe pse e bën shumë mirë rolin si sulmues krahu apo edhe më i tërhequr. Verrati? Mund të luajë ndaj Uellsit, por të shohim nëse do e nisë si titullar apo do të aktivizohet gjatë ndeshjes. Ende nuk është në 100% të formës fizike, por ai ka cilësi teknike shumë të mira”.
Trajneri i të kaltërve insistoi se skuadra e tij nuk do të bëjë kalkulime por do të synojë maksimumin për vendin e parë në grup çka nënkupton se për të nuk ka rëndësi se kush mund të jetë rivali i ardhshëm në 1/8 por vetëm fitorja.
