Pas kritikave, Petkoviç letër të hapur tifozëve: Na duhet mbështetja juaj

Në dy ndeshjet e para Zvicra ka zhgënjyer tej mase me rezultate dhe me lojë çka ka sjellë kritika të ashpra nga tifozët dhe mediat helvete. Në ndeshjen ndaj Turqisë, Zvicra do të ketë shansin e fundit për të kaluar në 1/8 e për më tepër të korrigjojë paraqitjet e dobëta që ka bërë deri tani.

Trajneri Petkoviç nga grumbullimi me skuadrën në Baku ka publikuar një letër të hapur drejtuar tifozëve në Zvicër dhe në të gjithë botë, të titulluar “Zvicra në fund të Javës”.

Petkoviç shpjegon situatën dhe gjithçka po ndodh dhe kërkon nga të gjithë mbështetje pasi vetëm të bashkuar mund të arrijnë objektivat e mëdha.

Më poshtë, letra e plotë e trajnerit Vladimir Petkoviç drejtuar zviceranëve:

“Të dashur zviceranë. Ne donim t'ju jepnim një natë magjike, për t'ju bërë krenar juve dhe Zvicrën tonë. Pas shumë vështirësive që kemi kaluar gjatë, ne dëshironim t'ju bënim të lumtur me një fitore kundër Italisë. Por duke planifikuar shumë, mbase shumë, në fund ne mbetëm vetëm të zhgënjyer. Për ju, për ne dhe për 4,000 tifozët që shkuan në Romë.

Na vjen me të vërtet keq për këtë disfatë. Kundër Turqisë, ku do të luajmë shansin e fundit për t'u kualifikuar në 1/8, përveç orientimit të duhur taktik, ne gjithashtu do të duhet të rikthejmë të gjitha vlerat dhe virtytet tona: solidaritetin, identifikimin, gëzimin dhe respektin. Kështu ne mund ta bëjmë atë. Ne jemi së bashku që nga 26 maji, dita e parë e grumbullimit, në hotel, mes dhomave, dhomës së ngrënies dhe fushës së futbollit dhe të gjithë kemi një qëllim: të fitojmë ndeshjet për ju dhe për Zvicrën.

Të gjithë duam të japim maksimumin, çdo minutë dhe çdo sekondë. Ne jemi qenie njerëzore që përpiqemi të arrijmë disa kërkesa, por fatkeqësisht jo gjithmonë kemi sukses. Ne jemi si një familje e madhe, përballemi me njëri-tjetrin kur gjërat shkojnë keq dhe gëzojmë së bashku kur gjërat shkojnë mirë, në mënyrë që të arrijmë së bashku qëllimet tona ambicioze. Yann Sommer u kthye dje nga udhëtimi i tij i shkurtër në shtëpi pasi u bë baba dhe ishte një moment i mrekullueshme për të gjithë. Edhe futbollistët dhe trajnerët, si të gjithë, kanë ndjenja, shqetësime, frikë dhe gëzime.

Ne jemi po aq të ndjeshëm dhe kjo është arsyeja pse ne kemi nevojë për mbështetjen e të gjithë juve për këtë ndeshje thelbësore. Kemi nevojë për solidaritetin dhe pozitivitetin juaj. Të Dielën në mbrëmje do të bëjmë gjithçka që është e mundur që të jemi të lumtur së bashku dhe të jemi krenarë për ekipin tonë kombëtar, ashtu siç jemi për Zvicrën tone”
përfundon letra shumë domethënëse e trajnerit Petkoviç.