Griezmann e gjen fajin te tifozët, Deschamps: Duhej të shënonim më shumë

Didier Deschamps e pranon se Franca mund të bënte akoma më shumë ndaj Hungarisë në ndeshjen e Grupit F. Trajneri i “gjelave” dukej i zhgënjyer pasi në letër kishte rivalin më të dobët të grupit dhe në fjalët pas barazimit tha se ekipi duhej t’i shfrytëzonte më mire rastet.

"Ne mund të kishim luajtur me më shumë vendosmëri, padyshim që duhej ta menaxhonim ndeshjen në një mënyrë tjetër. Patëm disa mundësi të mira, veçanërisht në pjesën e parë të ndeshjes. Mund të bënim dhe duhej të kishim shënuar më shumë. Kishim mundësi të tjera të krijuara por nuk mjaftuan".

Nga ana tjetër, autori i golit për Francën, Griezmann foli pas ndeshjes dhe u shpreh se stadium që ziente ndoshta ishte një shtysë për Hungarinë dhe se kundërshtarët luajtën vetëm në mbrojtje.

“Ishte një ndeshje e vështirë me publik. Kishim humbur zakonin e një stadiumi plotë me njerëz. Ne nuk u kuptuam shumë dhe fusha ishte e thatë, e nxehtë dhe e rëndë, por që e dinim para fillimit të ndeshjes. U përballëm në një bllok mbrojtjeje dhe nuk dinim si t'i konkretizonim shanset tona në fund. Mendoj se është Europian me ekipe të mëdha dhe lojtarë të shkëlqyeshëm, madje edhe kundër Hungarisë, është e vështirë të luash", perfundoi lojtari i Barcelones.