Trupat e copëtuar të çiftit Pasho në Itali varrosen pas 5 vitesh, merret në pyetje djali i tyre

Pas 5 vitesh kërkimi e një krimi makabër, trupat e çiftit shqiptar Teuta e Shëptim Pasho kanë gjetur paqe ditën e sotme, në një ceremoni varrimi kryer nga dy vajzat e familjarët e tyre.

Pasditen e sotme në varrezat komunale të qytezës Castelfiorito në provincën e Firenzes  është zhvilluar ceremonia e varrimit të çifitit Pasho.

Kanë qenë të afërmit e vajzat e çiftit, që përmes lajmërimeve të vdekjes të ngjitura nëpër rrugët e qytezës kanë informuar banorët e Castelfioritos, miqtë e të njohurit e tyre.

Katër valixhet me trupat e Shpëtim e Teuta Pasho 61 e 59 vjeç, u gjetën në dhjetor të 2020, në afërsi të burgut të Sollicciano në provincën e Firenzes, e jo shumë larg banesës ku djali i tyre  Taulant jetonte me të fejuarën Elona Kalesha.

Zhdukja e çiftit shqiptar ndodhi më 2015 e në të njëjtën ditë që djali i tyre Taulant doli nga burgu i Sollicianos.

Elona Kalesha 36 vjeç, ish e fejuara e Taulant Pashos, prej datës 22 dhjetor 2020,  është vënë nën urdhër arrestimi me burg me akuzën e vrasjes së dyfishtë.

Po me akuzën e bashkëpunimit në vrasje është arrestuar dhe vëllai i saj i vogël Denis Kalesha.

Një muaj më parë, me urdhër të autoriteteve italian është ekstraduar në Itali, nga Zvicra ku ndodhej nën arrest me burg për grabitje, Taulant Pasho 33 vjec, djali i çiftit Pasho, i cili mendohet se është çelësi i zbardhjes së këtij krimi të tmerrshëm.

Pak orë më parë ai është marrë në pyetje në burgun e Komos, nga prokurorët e çështjes.

Sipas deklaratës së avokatit të tij, "Taulant Pasho nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë ka ndodhur".

Ndërsa mediet italiane, zbardhin se përballë prokurores Ornella Galeotti, Taulant Pasho ka pranuar se prindërit e tij e kishin të zakonshme të sillnin me vete shumë parash, sa herë që vinin në Itali.

Ai ka rrëfyer gjithashtu se pas daljes nga burgu, ish e fejuara e tij i ka kthyer pas , një shumë parash prej disa mijëra euro që ai i kishte dhënë borxh.

Motivi i dobët i lidhur me një shumë parash që çifti Pasho zotëronte në momentin e zhdukjes, mbetet pista kryesore e hetimit.

Taulant Pasho, sipas medieve italiane ka sqaruar dhe raportin me ish të fejuarën e tij e ka hedhur poshtë rrëfimin e bërë nga Elona Kadesha që pak kohë para daljes së tij nga burgu ajo ka abortuar një fëmijë.

Taulant Pasho ka mohuar që fëmija të ishte i tij.