Plani i rimëkëmbjes pas pandemisë /Spanja përfiton nga BE-ja 140 mld euro, Portugalia 16,6 mld
Bashkimi Europian ka nisur t'u ndajë vendeve anëtare pjesë nga paketa 800 miliardë euro për rimëkëmbjen prej pandemisë.
Marrëveshjet e para për plan-shpenzimet u firmosën me qeveritë iberike të Spanjës dhe Portugalisë.
Nga 16,6 miliardë euro gjithsej që do marrë shteti portugez, 14 miliardë janë në formën e granteve dhe 2,6 miliardë euro si kredi.
"Me reformat dhe investimet e parashikuara, Portugalia do dalë më e fortë nga kriza e Covid-19 dhe më e mirëpërgatitur për të ardhmen. Suksesi juaj do të jetë edhe suksesi jonë."
"... Sot shpresën po e kthejmë në besim, dhe jemi të sigurt se do të kemi një rimëkëmbje ambicioze dhe të vërtetë në gjithë Europën," thanë presidetja e Komisionit Europian, Ursula fon der Lajen, dhe kryeministri Antonio Kosta i Portugalisë.
Pandemia e Covid-19 u ka marrë jetën mbi 17 mijë portugezëve, ndërsa dëmet në fqinjin e saj, në Spanjë kanë qenë të shumëfishta, me mbi 80 mijë viktima dhe një goditje që i hoqi 10,8 për qind të aktivitetit ekonomik në vitin 2020.
Për këtë arsye, Spanja do të përfitojë 70 miliardë euro grante dhe 70 miliardë të tjera do i marrë në formë kredie përgjatë 5 viteve.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sançez, tha në konferencën përkrah presidentes Fon der Lajen se me këto fonde ai pret që ekonomia e vendit të transformohet si në vitin 1986, kur u bë pjesë e Komunitetit Europian.
"Sot është ditë historike. Është historike për Spanjën, pa dyshim, por edhe për Europën sepse nga sot po i hapim derën një mënyre të re mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, një rimëkëmbjeje të shpejtë dhe të drejtë që nuk do të lërë pas asnjë rajon dhe asnjë gjeneratë."
Fondet e shpërndara për dy vendet kanë miratimin e Komisionit Europian por do duhet të përkrahen edhe nga shtetet anëtare.
Spanja ishte vitin e kaluar europiane ndër vendet më të goditura prej pandemisë, bashkë me Italinë, e cila do të përfitojë edhe përqindjen më të madhe të paketës së rimëkëmbjes, mbi 190 miliardë grante dhe gati 70 miliardë si kredi.

