Kim Jong-un pranon krizën ushqimore të Koresë së Veriut

Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un ka pranuar se vendi i tij po përballet me një "situatë të tensionuar ushqimore", raportoi media zyrtare sot.

Vitin e kaluar, pandemia e koronavirusit, por edhe ngjarje ekstreme të motit, të tilla si uragane dhe përmbytje, dhanë një goditje tjetër.

Gjatë një takimi të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë së Veriut, Kim tha se situata ekonomike e vendit është përmirësuar, pasi prodhimi industrial u rrit me 2% krahasuar me vitin e kaluar, njoftoi sot agjencia zyrtare e lajmeve KCNA.

Sidoqoftë, udhëheqësi i Koresë së Veriut pranoi se ekziston "një seri vështirësish" për shkak të shumë "sfidave".

"Situata e ushqimit është e tensionuar tani sepse sektori bujqësor nuk ka qenë në gjendje të përmbushë objektivat e tij të prodhimit të drithërave për shkak të dëmit të shkaktuar nga uraganet vitin e kaluar," tha Kim.

Në verën e vitit 2020 mijëra shtëpi dhe toka bujqësore u shkatërruan nga uraganet të shoqëruara nga përmbytjet.

Kim bëri thirrje për masa për të zvogëluar efektet e  katastrofave natyrore, duke thënë se sigurimi i të korrave të mira ishte një përparësi kryesore.

Gjatë këtij takimi, gjithashtu u raportua situata me epideminë e koronavirusit , raportoi KCNA.

Koreja e Veriut ishte një nga vendet e para që vendosi kufizime të rrepta shëndetësore, përfshirë mbylljen e hershme të kufijve të vendit, kryesisht me Kinën fqinje , për të parandaluar përhapjen e Covid-19 në territorin e saj.

Regjimi pretendon se asnjë rast i koronavirusit nuk është raportuar në Korenë e Veriut, diçka që ekspertët dyshojnë.

Për më tepër, tregtia me Kinën, vendin kryesor që mbështet financiarisht dhe politikisht Korenë e Veriut, është reduktuar në minimum.

Pandemia ka të ngjarë të ketë përkeqësuar gjendjen humanitare në Korenë e Veriut, ku 10.6 milionë njerëz janë në nevojë për ndihmë, sipas vlerësimeve të OKB-së.