Afganistan/ Talebanët fitojnë terren, synojnë rrëzimin e qeverisë afgane
Ushtria e Afganistanit po humbet shpejt terren me largimin e trupave ndërkombëtare, dhe Talibani pret të rimarrë kontrollin e vendit.
Militantët kanë fituar gati 30 zona rurale që pas fillimit të tërheqjes së amerikanëve në muajin maj dhe po vazhdojnë strategjinë që aplikuan në vitet '90 kur morën gjithë vendin në dorë deri në rrëzimin me luftë nga Amerika në 2001-in.
Komandanti i talibanit, Mullah Misbah, thotë: "Talibani i mposhti 100 % amerikanët arrogantë që mendonin se do të na shfarosnin nga faqja e dheut. I mposhtëm ata dhe aleatët e tyre."
Përpjekjet për tryeza paqeje mes qeverisë afgane dhe talibanëve nuk kanë dhënë rezultate dhe të dy krahet akuzojnë njëra-tjetrën për sulme ndaj civilëve të pafajshëm.
Ndërsa afganët pretendojnë se kanë fuqinë e duhur ushtarake për ta ndalur vrullin e rivalëve, komandantët e Talibanit janë të përgatitur për një sulm frontal sapo të largohen forcat e huaja.
Synimi i tyre është të rikthejnë regjimin autentik të shariatit.
"Ne nuk kemi probleme me ushtrinë afgane nëse ata pranojnë ligjet islame. Kur mposhtëm amerikanët, qeveria e tyre skllave në Afganistan nuk ka për të rezistuar as pesë ditë kur të ikin. Me dëshirën e Zotit, në Afganistan do të rivendoset regjimi islam i bazuar mbi shariatin", thotë komandanti taliban
Talibanët mësohet se po koordinohen me grupin militant Al-Kaeda për veprimtaritë e tyre, fakt që pala afgane thotë se provon që ata po shkelin marrëveshjen e vitit të kaluar me amerikanët.
SHBA-ja ka thënë se do i tërheqë plotësisht 3 mijë trupat e saj nga Afganistani më 11 shtator, ditë që përkon me 20-vjetorin e sulmeve terroriste në Kullat Binjake.

