Producenti muzikor: Grekët nuk janë racistë me shqiptarët kur flitet për artin
Kur bëhet fjalë për artin dhe muzikën, në mbarë botën ka shumë artistë shqiptarë të talentuar, që po bëjnë karrierë ndërkombëtare. Njëri ndër ta është dhe producenti muzikor, Moz, i cili bashkëpunon me këngëtarë të famshëm grekë por edhe të huaj, siç është Sakis Rouvas, këngëtari i muzikës pop greke, i cili ka marrë pjesë në festivalin evropian të këngës në vitin 2004 dhe 2009.
Producenti thotë për emisionin Ditë e Re, me moderatorë Arjon Muça dhe Arjola Shehu, se ai e ka dashur që në vogëli muzikën dhe se kishte plane të qarta për karrierën e tij që në moshën 6 vjeçare. Ai ka studiuar inxhinieri 'sound-i' dhe 'music production' në Greqi. Moz rrëfen se në fillimet e tij ka hasur vështirësi, edhe për shkak të origjinës së tij. Por kur vjen puna për artin grekët nuk mund të jenë racist thotë ai.
"Që 6 vjeç mendoja se do të kem studion time dhe do të prodhoj muzikën time. Që 6 vjeç e kam ditur me çfarë do merrem. Në fillim kur i mësoja grekëve muzikë ata thoshin 'do na mësojë ky', por Sakis thoshte gjithmonë se Moz do të bëhet. Muzika është diçka shpirtërore, diçka personale, duhet të nxjerrësh veten tënde. Unë isha shumë i bindur për punën time."
Moz ka nënshkruar kontratë me një kompani Amerikane: "Nga Amerika më kanë kontaktuar edhe këngëtarë që kanë qenë te emisioni 'The Voice' . Kam një staf atje , jam regjistruar në 'US copy right' për të ruajtur të drejtat e autorit."
Producenti performoi live në studion e Ditë e Re, një kolazh këngësh të përgatitur posaçërisht për emisionin.
