Blinken dhe Lavrov bien dakord të punojnë së bashku pavarësisht nga mosmarrëveshjet

Raportet SHBA-Rusi mbeten të tensionuara dhe dëbimet e disa diplomatëve respektivë po rrezikojnë t'i ulin ato si gjatë Luftës së Ftohtë. Janë të shumta akuzat e Uashingtonit kundrejt Kremlinit, por palët thanë të mërkurën se kërkojnë dialogun edhe për të mirën e botës.

Uashingtoni dhe Moska duan t'i përmirësojnë marrëdhëniet mes tyre, por edhe do i përgjigjen njëra-tjetrës në rast agresioni.

Sekretari amerikan i Shtetit, Entoni Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, mbajtën të mërkurën takimin e parë të nivelit të lartë që me ardhjen e administratës së re amerikane.

Dy kryediplomatët u takuan në Islandë në kuadër të Këshillit të Arktikut.

Antony Blinken: Siç presidenti Bajden i ka thënë presidentit Putin, ne kërkojmë një marrëdhënie të parashikueshme, të qëndrueshme me Rusinë. Do të ishte në të mirën e popullit tonë, të popullit rus dhe botës.

Presidenca amerikane e mban Kremlinin përgjegjës për disa shkelje e ndërhyrje në rendin ndërkombëtar, në sistemin e brendshëm politik dhe po refuzon ndërtimin e një gazsjellësi që e rrit prezencën strategjike ruse në Europë.

Uashingtoni është i shqetësuar edhe për mobilizimin ushtarak rus në zonën e Arktikut.

Ministri Lavrov tha se akuzat duhen mbështetur në fakte dhe duhen gjetur hapësira për dialog.

Sergei Lavrov: Ne jemi gati t'i diskutojmë të gjitha çështjet pa përjashtim nëse kuptohet se diskutimet do të jenë të sinqerta, me fakte të shtruara në tryezë dhe të bazuara në respekt reciprok.

Presidentët Bajden dhe Putin pritet të mbajnë samitin e parë në qershor, ku do trajtojnë edhe temat e paraprira nga diplomatët e tyre.