Luftimet në Gaza, zyrtarët e Hamasit parashikojnë armëpushim brenda një ose dy ditësh
Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se pret që Izraeli dhe militantët e Gazës do të arrijnë në një armëpushim "brenda një ose dy ditësh" ndërsa sulmet ndërkufitare vazhdojnë, raporton BBC.
Por kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha të mërkurën se ishte "i vendosur të vazhdonte derisa "qetësia dhe siguria të rivendosen te qytetarët izraelitë".
Çfarë tha zyrtari i Hamasit?
"Unë mendoj se përpjekjet e vazhdueshme në lidhje me armëpushimin do të kenë sukses", tha zyrtari politik i Hamasit, Moussa Abu Marzouk, për TV al-Mayadeen të Libanit.
"Unë pres që një armëpushim të arrihet brenda një ose dy ditësh dhe armëpushimi do të bëhet në bazë të marrëveshjes së ndërsjellë."
Një burim egjiptian i sigurisë i tha agjencisë së lajmeve Reuters se të dy palët kishin rënë dakord në parim për një armëpushim pas ndihmës nga ndërmjetësit, por negociatat ishin ende duke u zhvilluar.
Më shumë se 100 sulme ajrore izraelite u shënuan në infrastrukturën e Hamasit në veri të Gazës herët të enjten.
Militantët palestinezë u hakmorën me raketa në objektivat e Izraelit.Luftimet në Gaza filluan pas disa javësh në rritje të tensionit Izraelito-Palestinez në Jeruzalemin Lindor të okupuar, që kulmoi me përplasjet në vendin e shenjtë për myslimanët dhe hebrenjtë.
Hamasi, i cili kontrollon Gazën, filloi të qëllonte me raketa pasi paralajmëroi Izraelin të tërhiqej nga vendi, duke shkaktuar sulme ajrore hakmarrëse.
Të paktën 227 njerëz, përfshirë më shumë se 100 gra dhe fëmijë, janë vrarë deri më tani në Gaza, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.
Izraeli ka thënë se të paktën 150 militantë janë vrarë në Gaza. Hamas nuk jep shifra të viktimave për luftëtarët.
Në Izrael 12 persona, përfshirë dy fëmijë, janë vrarë, thotë shërbimi mjekësor. Izraeli thotë se rreth 4,000 raketa janë drejtuar drejt territorit të tij nga militantët në Gaza.

