Festë për ditëlindjen e Lukakut, plasin gjobat për lojtarët e Interit
Festa e titullit duket se nuk mjaftoi për Interin teksa mbrëmjen e djeshme karabinierët kanë ndërhyrë në një hotel në Milano pasi po zhvillohej një festë kundra rregullave deri në orët e para të mëngjesit. Siç mësohet, festa po zhvillohej për ditëlindjen e Romelu Lukakut dhe telefonatat në numrin e urgjencës 112 për zhurmën që po shkaktonte party i lojtarëve detyruan karabinierët të ndërhyjnë duke gjobitur 23 persona.
Bomberi belg, Lukaku bashkë me Hakimi, Young dhe Perisiç ishin mes lojtarëve të Interit të gjobitur nga policia italiane ndërsa edhe të tjerët që ishin të pranishëm u sanksionuan për shkeljen e rregullave anti-covid.
Krahas gjobave nga policia, nuk përjashtohet që edhe Interi të gjobisë lojtarët për këtë sjellje pasi shkelja e protokollit anti-covid nga futbollistët mund të ketë pasoja duke infektuar edhe pjesëtarë të tjerë të klubit.
