Shehi: Është momenti kyç, në derbi luajmë vetëm për 3 pikë
Për trajnerin Orges Shehi, derbi vjen në një moment tepër deçiziv dhe ndeshja ndaj Partizanit do të jetë çelësi i objektivit të bardhebluve për këtë sezon. Një fitore do t’i shtynte më tepër kampionët në fuqi drejt kreut ndaj për trajnerin Shehi luhet vetëm për fitore.
“Na ndajnë vetëm 4 javë nga mbyllja e kampionatit, javët ikin. Shpresoj të bëjmë mirë dhe nesër të marrim 3 pikët. Unë mendoj që në futboll nuk ka këtë sezon apo tjetrin. Ka momente dhe momenti është nesër. Nuk duhet të mendojmë se bota rregullohet rreth nesh dhe të marrim 3 pikë”.
Para gazetarëve, trajneri i bardhebluve pohon se skuadra po kalon një moment shumë të mirë dhe këtë duhet ta tregojë në fushë pasi është pika kyçe e sezonit.
“Në shumë ndeshje po shfaqemi mirë, po marrim pikë, pavarësisht se mund të merrnim më shumë. Këtë moment të mirë duhet ta tregojmë edhe nesër. Është ndeshje e rëndësishëm. Është çelësi i të gjithë objektivit, pas kësaj janë vetëm 3 ndeshje. Duke ditur rëndësinë që ka derbi, mendoj se është pika kyçe e këtij sezoni. Duhet të bëjmë më të mirën, për të arritur aty ku duam, në Europë. Derbi i ka të gjitha rezultatet, por ne luajmë vetëm për fitore”.
Në fund Orges Shehi i bëri thirrje skuadrës të tregohet e qetë dhe të mos ngarkohet më shumë seç duhet në fushë.
“Emocionet e derbit duket që këtu se sa kamera ka. Unë nuk thashë që jemi të favorizuar, nuk mendoj se ka të favorizuar në derbi. Nuk shikohet renditja, edhe kur skuadrat kanë qenë në pozita ndryshe në renditje, derbi ka qenë i luftuar. Ne nuk duhet ta ngarkojmë veten më shumë sesa duhet. Është një ndeshje që vlen 3 pikë. Duhet të jetojmë momentin”, përfundoi trajneri i bardhebluve në fjalën e tij para gazetarëve.
