UEFA hap hetim ndaj Juves, Barçës dhe Real Madrid

Tani është edhe zyrtare. UEFA ka nisur një hetim disiplinor ndaj Juventusit, Barcelonës dhe Real Madridit, tre klubeve të cilët ende nuk kanë braktisur projektin e Superligës.

Janë këto 3 ekipe që zyrtarisht nuk kanë bërë asnjë hap pas për t’u tërhequr nga projekti që zgjati vetëm 2 ditë dhe që panë të gjithë anëtarët e tjerë të braktisin këtë ide.

Sipas njoftimit, UEFA ka emëruar inspektorët e etikës dhe të disiplinës si përgjegjës të hetimit lidhur me Superligën ndërsa bëhet e ditur se të tjera informacione do të vihen në dispozicion në kohën e duhur.

Hetimi disiplinor është hapi i parë zyrtar i UEFA-s ndaj tre klubeve anëtare të saj ndërsa pas hetimit çështja kalon në Komisionin e Etikës dhe të Disiplinës të cilët më pas kanë në dorë në bazë të provave të vendosin për ndëshkimet e mundshme ndaj 3 klubeve.

Presidenti Ceferin e pati paralajmëruar se Barcelona, Real Madrid dhe Juventusi do të përballeshin me masa nëse nuk tërhiqen nga projekti i Superligës dhe asnjë prej tyre nuk u përpoq të bënte një hap pas dhe tani rreziku i një përjashtimi të mundshëm nga Kupat e Europës për ta është real.