Ilir Daja: Derbi sfida më e rëndësishme, presioni është mbi Tiranën

Java e 33-të e Kategorisë Superiore sjell një supersfidë, siç është derbi i kryeqytetit. Kur jemi pranë fundit të kampionatit, dueli Partizani-Tirana që do të luhet në 19:00 këtë të Enjte, do të vendosë shumë për fatet e titullit dhe në konferencën për shtyp, trajneri Ilir Daja e thekson rëndësinë e kësaj sfide.

“Rivaliteti është maksimal. Jemi më lart se kundërshtari në përballje direkte, duhet të motivohemi njësoj si në derbit e tjerë. Të menaxhojmë motivimin, që të mos ndikojë në lojë. Nuk e besoj se është udhëkryq, është një bonus i madh fitorja në derbi. Nëse shikojmë përballjet, edhe të tjerët kanë përballje direkte. Besoj që nuk do jetë vendimtar vetëm 3 pikët në derbi, por çdo ndeshje do e kemi njësoj si derbi. Nëse marrim 3 pikët tona, nuk na interesojnë më kundërshtarët”.

Lidhur me presionin që ekziston mbi të kuqtë si kryesues, trajneri Daja e kalon topin në kampin rival duke theksuar se Tirana si kampione ka presionin më të madh në derbi.

“Ka një bonus psikologjik fitorja në derbi. Presioni është te kundërshtari, sepse kemi fituar 2 herë dhe kemi barazuar 1 herë. Derbi nuk lidhet me njëri0tjetrierim, në këto momente që jemi, pritshmëritë do jenë të mëdha. Tirana është ekipi kampion në fuqi dhe kanë startuar si pretendëntë dhe pritshmëritë kanë qenë më të mëdha. Ne me problemet që kemi pasur, gjatë gjithë kohës kërkonim të merrnim maksimumin. Kemi ndryshuar kahet. Nuk mendoj se presioni më i madh është te ne, derbi ka presionin e tij. Trajnerët e kanë më të lehtë motivimin, por duhet menaxhim më i mirë. Në këtë prizëm kemi punuar me lojtarët. Në derbi janë në maksimumin e motivimit lojtarët”.

Në fund Ilir Daja tha besimplotë se beson te fitorja ndaj Tiranës ndërsa lidhur me një protestë të mundshme të lojtarëve për shkak të pagave të prapambetura trajneri tha se për gjëra të tilla mund të flasin drejtuesit.