Vetëvrasja bëhet vrasje, Gjykata kthen për hetim dosjen Antonio Karafilit në Korçë

Ka marrë një tjetër rrjedhë hetimi për çështjen e vetëvrasjes së Antonio Karafilit në Voskopojë të Korçës.

Kjo ngjarje e cila ishte pushuar nga prokuroria e Korçës, u kthye sot për tu rihetuar për akuzën e “Vrasjes me dashje”.

Vendimi është marrë ditën e sotme nga gjykata e Korçës, e cila pasi ka studiuar materialin hetimor, ka konstatuarse dosja penale ishte e paplotë dhe për këtë ka gjykuar se çështja ka nevojë për veprime të mëtejshme shtesë.

Tashmë çështja e të riut Antonio Karafili, do hetohet për akuzën e "vrasjes me dashje" dhe jo për akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”.

Gjykata ka argumentuar se viktima Antonio Karafili është gjetur i pajetë me këmbë në tokë dhe jo të varura në ajër, siç mund të ndodhë në një skenë tipike varjeje.

Sipas dosjes hetimore, personi që e pa për herë të fundit në jetë Antonion në datën 14 qershor 2018, ishte e dashura e tij, Kejsi Spaillari, 17 vjec nga Korça.

Ajo tregon, se atë ditë rreth orës 17:00 janë takuar me xhaxhain e saj dhe djalin e xhaxhait, për të sqaruar një sherr mes këtyre të fundit dhe Antonios.

Debati u mbyll dhe Antonio e Kejsi shkuan në Voskopojë, tek lokali i prindërve të Antonios, “Taverna Mishel”.

Në këtë moment, Kejsi kujton se Antonio i bëri skena xhelozie, duke hedhur dyshime se ajo kishte një lidhje tjetër.

Ata u ndanë dhe rreth orës 20:00 të mbrëmjes.  Kejsi me të ëmën dhe vëllain e të dashurit, u ngjitën për në Voskopojë.

Në këtë pikë e ëma e të ndjerit, Mimoza Karafili, tregon me detaje, sesi u njoftua nga e dashura e djalit, se Antonio ishte vetëvrarë dhe ajo vetë e gjeti atë të lidhur e të pajetë në një pishë.

Familjarët dyshojnë se djali i tyre nuk është vetëvarur, por është vrarë. Kjo për shkak se lartësia e pemës me tokën ishte e shkurtër dhe se viktima është gjetur nga nëna e tij me këmbë në tokë dhe jo të varura në ajër.