Izraeli shpall gjendjen e emergjencës ndërsa tensionet rriten

 

Izraeli ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në qytetin e Lodit ndërsa po intensifikohet fushata e bombardimeve në Rripin e Gazës.

Autoritetet e Gazës, e territorit palestinez që kontrollohet nga grupi militant "Hamas", thanë se mbi 30 qytetarë dhe fëmijë janë vrarë prej raketave izraelite që nga dita e hënë.

Të paktën 5 izraelitë gjithashtu kanë humbur jetën nga predhat kundërshtare.

Lideri i Hamasit, Ismail Hanijeh, tha se sulmet duket se do të vijojnë pasi Izraeli nuk po i përgjigjet ultimatumit për të ndalur dhunën ndaj palestinezëve dhe nuk po i tërheq forcat e veta nga xhamia e Al-Aksës në Jerusalem.

"Nëse Izraeli do që situata të përshkallëzojë, ne jemi gati. Jemi gati edhe të ndalim, edhe nëse pala tjetër i heq duart prej Jerusalemit," tha Ismail Haniyeh, lideri i Hamasit.

Mes palëve janë shkëmbyer në pak ditë mbi 1 mijë raketa.

Disa janë shkatërruar nga mbrojtja antiajrore, të tjera kanë depërtuar deri në Tel-Aviv, në qytetin më të madh të Izraelit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, vizitoi të martën qytetin e Lodit për të parë nga afër pasojat e përplasjeve disaditore mes komunitetit arab, qytetarëve izraelitë dhe forcave të rendit.

Protestat përshkallëzuan të hënën pas skenave të dhunës ndaj myslimanëve në Al-Aksa.

"Duhet të veprojmë kundër të gjithë atyre që sulmojnë qytetarët dhe shtetin e Izraelit. Kanë lënduar banorët, policët, kanë djegur shtëpi, makina, sinagoga. Sigurisht që këtë nuk do e pranonte asnjë vend, dhe sigurisht, as ne," tha Benjamin Netanyahu.

Të martën ishte hera e parë që nga vitet 1960 që Izraeli shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të tensioneve me Palestinën dhe me komunitetin arab në vend.