BE, donacion vaksinash Pfizer për Shqipërinë, Varhelyi: Askush nuk është i sigurt pa vaksinim

Eurokomisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka mbërritur në Rinas, ku është pritur nga delegacioni i BE në Tiranë.

Pasi u dorëzoi autoriteteve shqiptare një sasi vaksinash Pfizzer në Rinas, ndihmë nga BE për imunizimin e popullatës në Shqipëri.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, ai tha se ky është momenti për të fuqizuar vaksinimin pasi asnjë prej nesh nuk do të jetë i sigurt nëse nuk vaksinohet.

Oliver Varhelyi: Është një ditë e mrekullueshme për të gjithë Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht që është er tillë dhe për Shqipërinë. Jam i kënaqur që kemi arritur në fund të këtij procesi që më ka sjellë këtu me dorëzimin e vaksinave. Mendoj se po vijmë në momentin e duhur, një moment kyç ku ne duhet të fillojmë të dalim nga kjo pandemi. Për ne është prioritet që fqinjët tanë të arrijnë të kenë vaksina, Ballkani Perëndimor është edhe më shumë i rëndësishëm. Shqipëria do të marrë 145 mijë vaksina Pfizer të financuara nga BE, janë një dhuratë për ju nga ne për t'ju treguar se ju keni rëndësi për ne.

Ai kujtoi se BE ka qenë në krah të Shqipërisë dhe rajonit që prej fillimit të pandemisë në mars të vitit të shkuar.

Oliver Varhelyi: Ne e kemi ndihmuar Shqipërinë që prej fillimit të pandemisë, në mars të vitit të shkuar jemi përpjekur t'ju ndihmojmë me çdo gjë që kishim mundësi. Ky është momenti për të fuqizuar vaksinimin, asnjë prej nesh nuk do të jetë i sigurt nëse nuk vaksinohet.

Ndërsa kryeministri Rama, tha se fondi i solidaritetit të BE, për ndihmën e shtetit shqiptar në përballimin e pasojave shëndetësore të pandemisë, arrin shifrën rreth 1 milion euro.

Gjithashtu gjatë fjalës së tij, kryeministri bëri me dije se Komisioni i BE ka miratuar propozimin e paketës makro-financiare të asistencës për Ballkanin Perëndimor.

Nga kjo asistencë  Shqipërisë do t’i disbursohen fillimisht  90 milion euro, ndërkohë që shuma totale që pritet t’i japi BE rajonit arrin në shifrën 2.2 miliardë euro.

Përsa i përket vaksinimit, eurokomisioneri Varhelyi tha se Shqipëria do të marr 145 doza të vaksinës Pfizer të financuar nga BE.

Kontributin e BE për Shqipërinë komisioneri i BE, Oliver Varhelyi, e cilësoi si një dhuratë për të treguar dashamirësinë e BE për Shqipërinë.