Shpëtohen mbi 100 emigrantë në Mesdhe, mes tyre gra dhe fëmijë

Më shumë se 100 persona u shpëtuan në detin Mesdhe përmes dy operacioneve shpëtimi, një i kryer nga një organizatë bamirëse për migrantët dhe tjetri nga marina italiane.

Anija “Sea-Watch” arriti të shpëtojë gati 80 persona, midis të cilëve 11 gra dhe një fëmijë.

“Anija tani mban pak më shumë se 120 migrantë, pasi më shumë se 40 të tjerë u shpëtuan të enjten”, tha organizata bamirëse në “Tëitter”. Anija u nis kohët e fundit nga porti spanjoll i Burriana pasi u ndalua nga autoritetet italiane për muaj me radhë.

Më vonë sot pasdite, marina italiane tha se kishte shpëtuar gati 50 persona në një gomone që lundronte në veri të kryeqytetit libian Tripoli.

Sipas Kombeve të Bashkuara, deri më tani, këtë vit, rreth 480 migrantë kanë vdekur në Mesdheun qendror.

Emigrantët me shpresën për një jetë më të mirë largohen nga vendet e tyre nga paqendrueshmëria politike dhe ekonomike.

Agjencia e KB për fëmijë në raportin e fundit ka bërë të ditur se në udhëtimet e rrezikshme përmes detit janë konstatuar shpesh fëmijë dhe të mitur të pashoqëruar.

Sipas të dhënave janë 65,000 migrantë të mitur që jetojnë në Libi , të cilët shpesh kërcënohen me abuzim dhe shfrytëzim nga trafikantët.