Vuante nga probleme të shëndetit mendor, vëllai 26 vjeç vret me thikë vëllanë 23 vjeç në Dibër

Konflikti mes dy vëllezërve në Dibër ka rezultuar fatal për njërin prej tyre.

Flori Tonuzi 26 vjeç nga fshati Allabegi pas një konflikti motivet e të cilit ende nuk dihen, ka goditur me thikë vëllanë Benard Tonuzin 23 vjeç, rreth orës 00:30 të mbrëmjes së kaluar.

23 vjeçari është dërguar menjëherë në spital, por nuk ka mundur  t'u shpëtojë plagëve të marra, ku edhe ka ndërruar jetë.

Pas kësaj ngjarje, autori është larguar nga shtëpia, ndërsa policia është vënë menjëherë në ndjekje të tij por ai ende nuk është arrestuar.

Fqinjët e viktimës dhe autorit, kanë thënë se autori kishte kaluar disa kohë në burg, për motive ende të paqarta, ndërsa pasi është liruar ka shfaqur disa probleme të shëndetit mendor.

"Ai ka qenë në burg, pak me të meta. Në lagje nuk ka bërë asnjë gjë," thotë fqinji.

"Gjithmonë ata shikonin hallet dhe nevojat e familjes, pavarësisht se ky i vogli tani ishte shtruar punës dhe tamam. Kanë shkuar mirë, nuk kanë pasur përçarje, pro rasti konkret ra kjo punë," thotë fqinji tjetër.

Policia e Prokuroria janë duke punuar për t’i zbardhur të plota motivet që çuan në vrasjen e Benard Tonuzit nga i vëllai, Flori Tonuzi.