Tom Doshi: I gatshëm të bëjmë koalicion me Partinë Socialiste
“Jemi të gatshëm të bëjmë koalicion me partinë socialiste. Nuk do të pranoja asnjëherë një koalicion me z.Basha.”
Me këtë deklaratë nga Shkodra, deputeti dhe sipërmarrësi Tom Doshi shpjegoi qëndrimin politik që do të mbajë PSD-ja pas zgjedhjeve të 25 prillit. Doshi u shpreh se në Shkodër ka marrë dy mandate dhe po kaq, pret edhe në Tiranë. Deklarata u bë disa orë pasi kreu i PSD dha dorëheqjen nga prania në kuvendin e ardhshëm dhe i kërkoi KQZ-së zëvendësimin me një emër tjetër nga lista e kandidatëve të PSD. Pak orë më vonë, Tom Doshi iu drejtua me një mesazh qytetarëve dhe mbështetësve duke shpjeguar vendimin. Ai ka saktësuar se ka dhënë dorëheqjen nga gara, por jo si kryetar i PSD-së.
“Më së pari është e rëndësishme t’ju garantoj se kam hequr dorë nga mandati, por jo nga Partia Social Demokrate dhe as nga angazhimi politik për përmbushjen konstante të premtimeve ndaj jush. Për këto premtime, siç e kam vërtetuar edhe në të kaluarën, do të punoj çdo ditë, fushatë elektorale ose jo, duke qenë pikërisht ky angazhim busulla ime e përditshme në angazhimin politik," tha Doshi.
Doshi rendit disa arsye që e detyruan të japë dorëheqjen. E para lidhet me mbrojtjen e emrit të tij në lidhje me ato se çfarë është thënë për të kohët e fundit. Po ashtu, për kreun e PSD-së, partia e tij ka arritur pritshmëritë që kishte përpara zgjedhjeve.
“Politika fillon tek ju dhe bëhet në parlament por do të ishte një politikë shterpë, nëse prej parlamentit nuk do të kthehej prapë tek ju për me dhanë frytet e veta. Un nuk hyj në parlament, por partia jonë do të jetë aty. Un nuk hyj në parlament sepse nuk dua që votat tuaja të kenë asnjë pengesë," tha Doshi.
Emri i Doshit u lakua nga ambasadorja e Shteteve të Bashkuara e cila kërkoi moskandidimin e tij. Pas deklaratës publike të PD-së se nuk do të bashkëpunonte me partinë e Doshit pas zgjedhjeve, ambasada e SHBA kërkoi një qëndrim edhe nga mazhoranca por kryeministri Edi Rama nuk është deklaruar në mënyrë të prerë për këtë çështje.
