Vrasja para zgjedhjeve në Elbasan, prokuroria: Në dy automjete u gjetën materiale për zgjedhjet

Gjykata e Elbasanit liroi në detyrim paraqitje 10 nga 11 personat e arrestuar pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit më 21 prill. Masa e arrestit me burg u vendos vetëm për ish-policin Arbër Paplekaj, i cili shprehu keqardhje për ngjarjen e ndodhur. Në seancë prokuroria hodhi poshtë deklaratat e drejtorit të Policisë, Ardi Veliu, duke pranuar se në makinat e personave të përfshirë në ngjarje janë gjetur lista votuesish dhe fotokopje të kartave të identitetit të 19 qytetarëve.
Një ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit, prokuroria e Elbasanit korrigjoi informacionin e policisë duke pranuar se në automjetet e personave të përfshirë në përplasjen me armë në Elbasan ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, janë gjetur materiale që kanë të bëjnë me zgjedhjet.
Në seancën gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 11 personave të arrestuar për ngjarjen, prokurori bëri të ditur se në automjetet që drejtoheshin nga i kërkuari Kelmend Xhaferri dhe Mehmet Greca janë gjetur lista zgjedhësish si dhe emrat e patronazhistëve për këta shtetas bashkë me një listë me numrat e kartave të identitetit të votuesve.
Organi i akuzës nuk tha se kush qëlloi i pari në përplasjen me armë në lagjen "5 Maji" të Elbasanit, ndërkohë që bëri të ditur se janë sekuestruar disa pamje të tjera nga kamerat e sigurisë të cilat po verifikohen për të zbardhur detaje nga ngjarja.
Gjykata vendosi masën arrest me burg ndaj ish-policit Arbër Paplekaj i akuzuar për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ndërsa la në detyrim paraqitje 10 të arrestuarit e tjerë.
Ish-oficeri i RENEA-s tha se është tepër i tronditur nga ngjarja për shkak të humbjes së jetës së një personi.
"Nuk kisha menduar ndonjëherë se do të gjendesha në një rrethanë që të rrezikoja jetën e dikujt për shkak se unë jam i trajnuar dhe i betuar për mbrojtjen e jetës së qytetarëve pavarësisht rrethanave ekstreme në të cilat jam ndodhur. Kjo nuk e ndryshon dhimbjen dhe tronditjen që kam. Po kështu duke qenë në kushtet e ndalimit nuk kam dijeni se në ç’rrethana ndodhet familja ime dhe katër fëmijët e mi. Për këto arsye unë nuk jam i qetë për të dhënë shpjegime.
Kam kërkuar ditën e ndalimit këqyrjen dhe ekzaminimin mjeko-ligjor të një plage të dukshme të cilën e kam në dy gishtat e fundit të dorës së djathtë. Ky fakt është i pasqyruar dhe në regjistrin e mjekut të dhomave të paraburgimit i cili ma ka parë këtë dëmtim dhe e ka regjistruar, por unë nuk e kam lënë të ma mjekojë për shkak se nuk ishte bërë këqyrja dhe ekzaminimi mjeko-ligjor. Kërkoj aktualisht që të kryhet ky ekzaminim. Kaq kam për të thënë".
Emiljan Prenga ishte i arrestuari i vetëm që nuk ishte i pranishën në seancë pasi ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak në gjendje të plagosur.
