Meta nga Shijaku i "339": Procesi po ecën mrekullueshëm, i vetmi "problem" radhët e gjata për votim
Ndalesa e radhës e presidentit Meta në këtë ditë votimesh ishte Shijaku. Kreu i Shtetit ka dislokuar aty si vëzhgues dy këshilltarët e tij dhe për mediat konfirmoi se procesi po ecën normalisht.
Meta: Dy këshilltarët e mi, ai për sigurinë kombëtare Spiro Koçi dhe ai diplomatik Genc Muça më sqaruan se çdo gjë është normalizuar dhe procesi po ecën në mënyrë të mrekullueshme. Qytetarët e Shijakut po votojnë të lirë dhe kështu do të votojnë deri në fund. Për çdo shqetësim që të kenë këshilltarët e mi do të jenë këtu por edhe vëmendja e shumë vëzhguesve ndërkombëtarë është këtu për atë arsye që e dimë nga zgjedhjet e kaluara. Jam besimplotë që Shijaku do të shkëlqejë dhe do të nxjerrë në pah vlerat më të mira në këto zgjedhje, ato të qytetarisë, bashkëjetesës demokratike dhe dashurisë për Shijakun dhe Shqipërinë.
Sa i takon ecurisë së procesit në terësi, Meta tha se i vetmi problem që nuk është i tillë janë radhët e gjata të qytetarëve për të votuar.
Meta: I vetmi problem është se ka radhë të gjata dhe pjesëmarrje të lartë, që nuk është problem, përkundrazi do të vazhdojë të rritet sepse askush nuk do të mungojë në këtë festë të demokracisë dhe këtë demonstrim të jashtëzakonshëm të pjekurisë dhe përgjegjshmërisë që populli ynë po i tregon të gjithë botës. Ftoj të gjitha forcat politike dhe kandidatët por edhe administruesit e këtij procesi të vazhdojnë në këtë mënyrë sepse kjo ditë që nisi mrekullueshëm duhet të përfundojë kështu dhe kështu do të vazhdojë dhe nata mrekullueshëm me dritë, transparencë, harmoni, respekt të ndërsjelltë.
Meta tha se nga një mbarëvajtje e tillë fiton e gjithë Shqipëria dhe gjithë shqiptarët dhe i japim një mesazh shumë të fortë BE që jemi gati për të çelur negociatat dhe fituar kohën e humbur, se jemi popull me orientim 100% europian.

