"Ulet numri i urgjencave te infektivi", mjeku Pipero: Një nga periudhat më të mira që nga fillimi i pandemisë

Pas shumë muajsh, spitalet covid, po marrin frymë lirisht. Mjeku Pëllumb Pipero e konsideron këtë si një nga periudhat më të mira që prej fillimit të pandemisë.

 Në një  ditë  në spitalin covid 1 paraqiten  1 apo  2 pacientë,  ndërsa numri i të shtruarve është tepër i ulët.

"Rastet e shtruara apo nën kujdesin mjekësor janë nga format e mesme, deri do thosha të rënë, por të intubuar në dijeninë time janë 2 pacientë, pra do ta konsideroja, që nga fillimi i kësaj pandemie, situata më e qetë e mundshme," thotë Pipero.

Pacientët vijojnë të jenë nga të gjitha grupmoshat, ndërsa spitali covid 3 është boshatisur nga të shtruarit. Punonjësit e kësaj strukture janë lënë të pushojnë për disa ditë.

"Personeli i atjeshëm besoj do  të bëjë disa ditë pushim sepse janë pas një kohë të gjatë, ngarkese shumë të madhe relativisht të lodhur dhe shpresojmë që të mos rihapet më," thotë mjeku Pipero.

Edhe në spitalet e tjera covid, situata paraqitet e qetë, 4 ashtu si 3 nuk ka pacientë, ndërsa në  spitalin Shefqet Ndroqi, janë të shtruar 57 persona. Gjatë kësaj jave urgjencat e Tiranës do të drejtohen në ambientet e këtij spitali.