Punimet në rrugë devijojnë qarkullimin, banorët: Rruga e prishur vijon prej vitesh, na janë dëmtuar makinat

Këtu ndodhemi në rrugën "Migjeni" pranë zonës së Astirit ku njëri kah i rrugës është bllokuar pranë rreth-rrotullimit. Makinat detyrohen që të shkojnë rreth pallateve në një rrugë, e cila as rrugë nuk mund të quhet.

Njëri kah i këtij segmenti është bllokuar prej më shumë se një muaji.

Një tabelë dikton se në këtë pjesë po punohet, por siç mund të shihet edhe në pamje nuk duket asnjë mjet apo punonjës i bashkisë.

Drejtuesit e mjeteve janë të detyruar që të kalojnë rreth e përqark pallatit përmes kësaj rrugice.

Kostot për vonesat dhe për situatën e krijuar duhet ta përballojnë vetë qytetarët që ndihen të braktisur.

"Çdo ditë e bëjmë këtë rrugë, derisa të bëhet rruga e re. Shpresojmë që të ecim përpara, jo prapa," thotë një shofer.

"Kjo kaq vjet që nuk është shtruar fare. Çdo ditë kaloj në këtë pjesë," thotë një shofer tjetër.

"Tani rrugët edhe po rregullohen, pro ka edhe për të rregulluar plot. Duhet patjetër të rregullohet që qytetarët të lëvizin lirshëm dhe të mos ketë konfuzione, stres, të jetë jeta pak më normale," thotë banori.

Për shkak të kësaj infrastrukture, në çdo orar të ditës krijohen radhë të gjata makinash.

Segmenti përtej kësaj zone është shtruar së fundmi, por duket se zhavorri dhe asfalti elektoral nuk ka arritur të mbulojë dot gropat e rrugës Kristo Pano.