"Ia di mendimet edhe kur s’flet’/ Rama i përgjigjet Metës për patronazhistët: Tentativë për të krijuar alibi për atë që do u ndodhë më 25 prill
Patronazhistët e Partisë Socialiste janë kthyer në moton e debatit politik në ditët e fundit të fushatës elektorale. Kryeministri Edi Rama është përgjigjur nga Pogradeci për akuzat e Presidentit Ilir Meta duke theksuar se gjithçka po bëhet për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve.
"Kjo sipas Ilir Metës po survejon pogradecarët. Ja një patronazhiste. Tani kjo është fukse, dhe unë krye-fuksi. Tani Ilir Meta thotë që janë përhapur të dhënat dhe është vënë në rrezik siguria kombëtare. Po kush i përhapi të dhënat? I përhapëm ne? Se është pyetje shumë e thjeshtë. Së pari njëherë të dhënat tona janë shumë të ndryshëm nga ato që kanë dalë," tha Rama.
Por nga ana tjetër ai akuzoi Presidentin se takohet me subjekte të operacionit forca e ligjit.
"Pashë sot e kishin kapur në një foto me kapuç, dielli shkëlqente në një cep atje, në një hije me kapuç Presidenti i Republikës, mbuluar me kapuç. Natyrisht se kur takon subjektet e OFL-së do vesh dhe kapuç," u shpreh Rama.
Nga ana e tij, kryedemokrati Basha nuk ka komentuar patronazhistët por i bindur për fitoren e zgjedhjeve të 25 prillit ai theksoi rëndësinë e rimëkëmbjes ekonomike.
"Mundësitë tona për t'i bërë këto pritshmëri realitet, po kështu janë plotësisht të mundshme. E para sigurisht vjen të djelën, që të bëhen realitet gjëja e parë e domosdoshme është ndryshimi. Ftesa është që ët shkoni dhe të votoni me vetëdije qytetarë se në atë moment po merrni një vendim madhor i cili do të ketë një impakt të jashtëzakonshëm. Unë mendoj se nuk ka zgjedhje më të rëndësishme se këto sepse siç e dini shumë gjëra që duhet të kishn ecur përpara, jo vetëm ekonomia por edhe integrimi evropian kanë mbetur në vend," tha Basha.
Madje kreu i demokratëve theksoi se me fitoren e zgjedhjeve ai do të kthejë normalitetin në politikë.