Athina vijon bllokadën, Shqipëria vendos karantinën dyjavore për ata që hyjnë nga Greqia

Greqia do të vazhdojë ta mbajë mbyllur kufirin e saj me Shqipërinë deri të hënën e ardhshme.

Autoritetet greke njoftuan se në vijim të masave të marra përgjatë pandemisë, është rënë dakord me palën shqiptare që afati i bllokimit të pikëkalimit në Kapshticë të shtyhet më 26 prill.

Kalimi do të lejohet për ata që kanë leje qëndrimi ose shtetësi greke, me kushtin që të karantinohen për 14 ditë dhe të provojnë se nuk janë bartës të kovidit-19 në 72 orët e fundit.

Edhe Shqipëria karantinë dy javore për udhëtarët nga Greqia

Shperthim infektimesh
Greqia raporton një shpërthim infektimesh të reja brenda vendit, me gati 2 mijë raste të reja ditën e diel dhe mbi 60 viktima në 24 orë.

Por në nisje të sezonit turistik, autoriteti vendës i aviacionit civil njoftoi të hënën se udhëtimet me vendet e BE-së dhe të Shengenit do të mund të kryhen pa detyrimin e karantinës 7-ditore.

Parakusht do të jetë certifikata e vaksinimit e lëshuar të paktën 14 ditë më parë ose një test PCR negativ kundër koronavirusit.

Lehtësira në udhëtimet nga ajri do të ketë edhe për shtetasit nga SHBA-ja, Britania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraeli dhe Serbia, ndërsa rrugët ajrore me Shqipërinë mbeten të hapura, por ato mbeten edhe subjekt i masave kufizuese.

Greqia do të hapet zyrtarisht për turizëm më 14 maj, ndërkohë që aktualisht aplikon kufizime në lëvizje brenda rajoneve të caktuara, orare policore dhe e ka të detyruar mbajtjen e maskave.