Çfarë frike për Smalling, me armë i grabisin shtëpinë
Roma me shumë vështirësi avancoi mbrëmjen e djeshme në gjysmëfinalen e Europa League pas barazimit që mori ndaj Ajax në "Olimpico" dhe teksa ndeshja luhej, Chris Smalling ka përjetuar momente tmerri në shtëpi.
Në shtëpinë e mbrojtësit anglez kanë hyrë 3 persona për ta grabitur dhe skenat siç raporton policia italiane ishin tejet të frikshme. Me armë në dorë autorët kanë detyruar lojtarin që të hapte kasafortën e shtëpisë për t'i grabitur gjithçka që nga sendet me vlerë, te bizhutë dhe 300 euro para cash në dorë. Bashkë me Smalling në shtëpi ishte edhe bashkëshortja të cilët përjetuan momente të frikshme dhe fatmirësisht nuk pësuan asnjë lëndim.
Policia e Romës po heton për ngjarjen duke marrë pamjet e kamerave të zonës dhe kanë konfirmuar se 3 ishin autorët të cilët dyshohen të jenë italianë.
Smalling po kalon një periudhë rehabilitimi për shkak të një dëmtimi në gju prandaj nuk ishte në fushë me Romën dhe kishte zgjedhur të qëndronte në shtëpi për të ndjekur ekipin e tij që u kualifikua por mbrëmja që ai kaloi ishte për t'u harruar plotësisht.