"Vrau qentë", aktivistët padisin në SPAK kryebashkiakun Veliaj dhe funsionarë te tjerë
Aktivistë të shoqërisë civile dhe shoqata të mbrojtjes së të drejtave të kafshëve janë mbledhur për herë të katërt para bashkisë së Tiranës. Ata kërkojnë transparencë nga Bashkia për fondet e akorduara për trajtimin e qenve endacakë, ndërsa akuzat për institucionet përkatëse i depozituan në SPAK.
Aktivistë per mbrojtjen e të drejtave të kafshëve të mbështetur edhe nga qytetarë të Tiranës, u mblodhën përsëri këtë të premte përpara Bashkisë.
Ata përsëritën edhe një herë shqetësimin për kujdesin ndaj qenve endacakë, ndërsa hodhën poshtë të gjitha pretendimet e kryebashkiakut Erion Veliaj për këtë çështje.
"Veliaj ka thënë që një vaksinë kushton 50 euro. Te i njëjti distributor që bashkia i ka blerë vaksinat i blejmë dhe ne dhe i blejmë me 200 lekë të reja."
Të pranishëm në këtë protestë ishin edhe shtetas të huaj dhe shqiptarë të ardhur nga kosova.
"Shteti nuk vret më kafshë, nuk jepen më tendera për vrasjen e kafshëve. Kemi bërë kërkesë të monitorojmë qendrat ku kafshët sterilizohen dhe kastrohen."
Nga Bashkia e Tiranës, aktivistet zhvilluan një marshim dhe iu drejtuan SPAK-ut ku dorëzuan kallëzimin penal.
Prej andej ata qartësuan pretendimet e tyre.
"Në të gjithë këto tendera ka një artiklull që është blerë me shumicë, qeset e zeza të cilat janë përdorur pasi qenve u është injektuar acid klorhidrik, janë vrarë dhe varrosur në ladfillin e Sharrës".
Prej vitit 2016 deri në 2020 janë zhvilluar 6 tendera per blerjen e medikamenteve dhe pajisjeve mjekesore nga bashkia e Tiranës për trajtimin e qenve endacak.
Prokurimet kanë një vlerë totale rreth 80.9 mln lekë, dhe 2 prej tyre janë abuzive pasi rezultojnë me flamuj të kuq për mungesë transparence dhe skualifikim të të gjithë operatorëve përveç fituesit.
Aktivistët kanë njoftuar se do të protestojnë përsëri ditën e shtunë përpara Bashkisë.