Gjoba për Becchettin, Berisha: Rama para largimit po i le çdo shqiptari 48,000 lekë borxh
Ish kryeministri Sali Berisha vijon të reagojë lidhur me gjobën 110 milionë euroshe që shteti shqiptar duhet ti paguajë biznesmenit italian Francesco Becchetti, pas mbylljes së televizionit Agon Channel.
Sipas tij, me këtë shumë që duhet paguar, Rama i le çdo shqiptari një borxh me 48 mijë lekësh të rinj.
“Humbësi para largimit la një gjobë prej 48000 lekësh për çdo qytetar”, shkruan ish kryeministri Berisha.

Si nisi përplasja Rama-Veliaj-Becchetti?
Konflikti mes qeverisë Rama dhe biznesmenit Becchetti nisi pas zgjedhjeve të vitit 2013.
Me ardhjen në pushtet, kryeministri Rama anuloi dy koncesione dhënë Francesco Becchettit nga Qeveria Nano dhe të rinegociuara nga Qeveria Berisha: një për ndërtimin dhe shfrytëzimin e hidrocentralit të Kalivaçit dhe një për ndërtimin dhe shfrytëzimin e një impianti mbetjesh.
Por ky konflikt kulmoi në vitin 2014, kur televizioni Agon Channel nisi një seri denoncimesh për qeverinë Rama dhe për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Zhvillimet morën një rrjedhë krejt tjetër dhe armiqësia arriti kulmet kur televizioni i sipërmarrësit italian Francesco Becchettit, bëri transparencë për dasmën e kryebashkikut Erion Veliaj, në atë kohë ish-ministër në kabinetin Rama.
Pak muaj më vonë, Prokuroria nisi hetimin investitorit Becchetti për mospagim taksash, mashtrim, pastrim parash dhe përfshirje në një skemë evazioni fiskal që në total dyshohej se arrinte në 39 milionë euro.
Më 8 qershor 2015, prokuroria shpalli urdhër arresti ndërkombëtar për biznesmenin.
Po me 8 qershor, me vendim gjykate, Becchettit iu sekuestruan të gjitha pasuritë: 60 për qind të aksioneve të shoqerise mediatike AgonSet, aksionet në katër kompani të tjera “Energji”, “Cable System”, “400KV”, “Fuqi”, iu bllokuan llogaritë bankare të tijat dhe të kompanive.
Basha: S’do e paguajnë shqiptarët. Konfiskojmë pasuritë e pushtetarëve të korruptuar
Një ditë më parë, gjatë një takimi elektoral në Durrës, kryetari i PD do të shprehej se kjo shumë nuk do të paguhej nga taksat e shqiptarëve por paralajmëroi konfiskim të pasurive të pushtetarëve të korruptuar.
“110 milionë euro gjoba që Edi Rama do t’i bjerë në qafë buxhetit të shtetit. Nuk do të paguhet nga buxheti i shtetit por ne do t’i konfiskojmë të gjithë pasurinë e pushtetarëve të korruptuar dhe të ortakëve të tyre, sepse paratë e taksave të shqiptarëve nuk do të shkojnë për të paguar tekat e pushtetarëve të korruptuar. Përkundrazi, ne do të bëjmë gjithçka që kjo faturë që rëndon mbi 335 mijë familjet shqiptare, e kam fjalën për atë marrëveshje”.
/a.r,OraNews